“Lideri nuk interesohet për të qeverisur realisht”, Ergys Mërtiri në “Top Story”: Synon të menaxhojë turmën dhe ta manipulojë 

26/10/2026 21:49

Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në emisionin “Top Story”, foli për tipologjinë e liderit në politikë, duke argumentuar se udhëheqja politike shpesh mbështetet te aftësia për të menaxhuar dhe manipuluar turmat, dhe jo te vizioni për ta çuar shoqërinë përpara.

Ai solli si shembull kryeministrin Edi Rama, për të cilin tha se, sipas tij, nuk ka interes të qeverisë mirë, ndërsa theksoi se raporti mes liderit dhe turmës ndërtohet mbi emocione dhe jo mbi mendimin kritik.

“Lideri nuk është ai që mendon dhe di ta çojë shoqërinë përpara, por ai që di të menaxhojë turmën. Lideri nuk interesohet për mendimin dhe për të qeverisur realisht, por për të manipuluar. Ngrihet nga mëngjesi deri në darkë dhe mendon se si të manipulojë dhe të gënjejë njerëzit që ka poshtë.

Unë besoj se Edi Rama, me vetëdije, nuk do të qeverisë mirë. Ka një raport perfekt midis liderit dhe turmës, turma orientohet nga epshi, lideri po ashtu. Këta e vrasin mendimin dhe, në thelb, edhe për një arsye tjetër, lideri, duke qenë mediokër dhe deri diku i çorientuar, nuk ka aftësinë të kuptojë se çfarë i duhet një shoqërie. Në këtë kuptim, ai vendos veten suprem dhe i sheh të gjithë të tjerët si inferiorë.

Kjo ndodh kudo, kur drejtori duhet të jetë më i dituri dhe të tjerët poshtë tij më injorantë. E kur lideri është injorant, mendo se sa më injorantë i konsideron ata që janë më poshtë”, u shpreh Ergys Mërtiri.

Top Channel