“Sekretet e telefonit”/ Revista amerikane: Telefoni i hakeruar i Jared Kushner zbuloi negociata dhe transferta mbi 700 mln dollarë

23/10/2026 01:22

Revista amerikane “Vanity Fair” ka publikuar një investigim që ngre pikëpyetje mbi lëvizje të mëdha financiare të lidhura me Jared Kushnerin, dhëndrin dhe ish-këshilltarin e Donald Trumpit, si dhe me drejtues të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite.

Sipas investigimit së “Vanity Fair”, gjurmët e kësaj historie do të jenë zbuluar nga shërbimi holandez i inteligjencës, pasi kishte siguruar akses në pamje të ekranit të telefonit të Kushnerit. Nga monitorimi, agjentët konstatuan se ai hynte në një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku kishin mbërritur qindra milionë dollarë përmes një banke në Azerbajxhan.
“Vanity Fair” shkruan se në vitin 2017, drejtuesit e Emirateve dhe Arabisë Saudite kishin diskutuar me Kushnerin krijimin e një fondi që do të përdorej për objektiva të politikës së jashtme. Sipas artikullit, fillimisht ishte diskutuar një financim prej më shumë se 10 miliardë dollarësh, por kjo ide u braktis dhe më pas të paktën 2 miliardë dollarë përfunduan në dy llogari të lidhura me Kushnerin.
Një prej tyre, e identifikuar në investigim me emrin “Alpha”, mbahej në First Abu Dhabi Bank. Sipas “Vanity Fair”, rreth 750 milionë dollarë u transferuan në këtë llogari nga sauditët dhe emiratët, ndërsa fondet synoheshin të përdoreshin për çështje të politikës së jashtme.
Kushneri, sipas investigimit, nuk ishte pronar i llogarisë “Alpha”, por ishte i autorizuar të kryente veprime në të. Llogaria i përkiste një fondacioni bamirësie të financuar nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Burime të cituara nga revista pretendojnë se ky fondacion përdorej edhe si mbulesë për transferimin e parave në funksion të operacioneve të fshehta ushtarake dhe të inteligjencës së Emirateve jashtë vendit. Sipas të njëjtave burime, statusi i organizatës bamirëse mundësonte që transaksionet ndërkombëtare të tërhiqnin më pak kontrolle.
Investigimi ngre gjithashtu pikëpyetje mbi nivelin e autorizimit që Kushneri kishte për këto veprime. Katër ish-zyrtarë të lartë të administratës Trump, të cituar në artikull, deklaruan se nuk kishin dijeni për një autorizim presidencial që do t’i lejonte atij akses në një llogari bankare të një qeverie të huaj.
Nga ana tjetër, avokati i Kushnerit ka kundërshtuar implikimet e investigimit, duke deklaruar se klienti i tij nuk ka bërë marrëveshje apo aranzhime me udhëheqës ose zyrtarë të huaj pa miratimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe se çdo veprim i tij është kryer në interes të SHBA-së.

Artikulli nga Vanity Fair: Në fund të pranverës së vitit 2020, një burim të cilin e konsideroja të besueshëm më telefonoi për të më treguar një histori. Qeveria holandeze kishte hakuar telefonin e Jared Kushnerit dhe e kishte monitoruar atë teksa hynte në një llogari bankare në Dubai. Ajo që ishte e çuditshme, sipas burimit, ishte se paratë në këtë llogari – qindra miliona dollarë – kishin ardhur nga një bankë në Azerbajxhan. Më e rëndësishmja, Kushneri dukej se kishte transferuar shuma të konsiderueshme parash nga llogaria në Dubai te persona të tjerë, përfshirë një komandant lufte, një mercenar dhe një ish-vrasës me pagesë.

Historia më dukej absurde, i thashë burimit. E megjithatë…

Gjashtë muaj më vonë, po bisedoja me një person tjetër për qeverinë e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe përdorimin e mercenarëve prej saj në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Afrikë, kur e pyeta rastësisht nëse dinte diçka për Kushnerin dhe transfertat bankare nga një llogari në Emiratet e Bashkuara Arabe. Bashkëbiseduesi im heshti për pak çaste. Pastaj u përgjigj: “Po”.

Gjatë katër viteve që pasuan, mësova se në fund të vitit 2017, Shërbimi Holandez i Inteligjencës së Mbrojtjes dhe Sigurisë (MIVD) kishte bërë një zbulim tronditës. Një operativ i Drejtorisë së Përgjithshme të Shtabit të Forcave të Armatosura të Rusisë (GRU), një haker i rrjetit të errët i specializuar në të dhënat e vjedhura bankare, po udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar për një mision spiunazhi.

Holandezët kontaktuan qeverinë britanike për të marrë leje që ta arrestonin atë pas mbërritjes. Britanikët ranë dakord. Kur shtetasi rus mbërriti në Angli, holandezët i dhanë dy mundësi: ose të punonte për ta kundër GRU-së, ose britanikët do ta arrestonin. Nëse shpallej fajtor, ai do të kalonte vite në një burg britanik. Rusi zgjodhi të ndërronte palë.

Më vonë po atë vit, agjenti rus u dha spiunëve holandezë akses në një prej aseteve më të ndjeshme të GRU-së. Në Rostov të Rusisë, ekipi i hakerëve dhe specialistëve kibernetikë të GRU-së administronte një server në distancë, ku ruante një pjesë të të dhënave të vjedhura. Gjatë kërkimit në këto dosje sekrete, holandezët zbuluan diçka të jashtëzakonshme: pamje të ekranit të iPhone-it të Jared Kushnerit.

Në Hagë, ekipi i hakerëve të MIVD-së u përpoq të rindërtonte mënyrën se si rusët kishin depërtuar në iPhone-in e Kushnerit. Ai zotëronte modelin më të ri të kohës, iPhone X, i cili ishte hedhur në treg në nëntor të vitit 2017 dhe përfshinte Face ID-në, një sistem sigurie që Apple e kishte promovuar shumë gjatë prezantimit të tij.

Ekipi holandez po përpiqej të gjente mënyrën për të kapërcyer mbrojtjen e telefonit, kur kuptoi se rusët mund të mos e kishin hapur derën kryesore, por kishin gjetur një dritare të pambrojtur për të hyrë brenda.

Hipoteza doli e saktë. Në fillim të vitit 2018, MIVD zbuloi një dobësi në iPhone që u mundësonte akses. Megjithatë, shfrytëzimi i kësaj dobësie nuk ishte i përsosur. Disa programe keqdashëse mund ta kthejnë telefonin e viktimës në mikrofon dhe kamerë, ta ndezin ose fikin atë, si dhe të marrin apo të shtojnë skedarë. Zgjidhja holandeze nuk ofronte një nivel të tillë aksesi. Në vend të kësaj, sa herë që Kushneri përdorte telefonin, ata mund të shihnin ekranin e tij.

Pothuajse menjëherë pas depërtimit në telefon, shërbimi i inteligjencës filloi të regjistronte çdo pamje të ekranit të Kushnerit gjatë përdorimit të pajisjes dhe t’i ruante ato në serverët e veta të brendshëm.

Gjatë monitorimit të telefonit, ata zbuluan se Kushneri e përdorte atë për t’u futur në një llogari bankare në Emiratet e Bashkuara Arabe. Në kohën kur spiunët holandezë arritën të shihnin aktivitetin e telefonit, llogaria kishte marrë qindra miliona dollarë nga një bankë në Azerbajxhan.

Vlerësimi fillestar ishte se llogaria bankare kishte lidhje me qeverinë e Azerbajxhanit. Për hakerët e MIVD-së, ajo u kthye në një mister të inteligjencës që duhej zbardhur. Pothuajse çdo gjë me të cilën merreshin dukej se kishte një lidhje me komplote ruse.

Pak më shumë se një vit pas fillimit të presidencës së parë të Trumpit, MIVD-ja, ashtu si agjentët e FBI-së dhe prokurorët federalë në Uashington që po punonin për hetimin e Robert Muellerit, kishte zbuluar vetëm një pjesë të historisë.

Kushneri, sundimtari i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohamed bin Zayed (MBZ), dhe Mohammed bin Salman (MBS) i Arabisë Saudite u afruan me njëri-tjetrin në një moment vendimtar.

MBS dëshironte të bëhej princ i kurorës. MBZ synonte të rrëzonte marrëveshjen bërthamore të Obamës me Iranin, ndërsa Kushneri dëshironte që të dy ta ndihmonin të ushtronte presion mbi palestinezët për të arritur një marrëveshje të pranueshme për Izraelin.

Pavarësisht perceptimit për pasurinë e tij, Kushneri nuk ishte plotësisht i pavarur financiarisht nga prindërit. Kompania familjare, Kushner Companies, përballej me shlyerjen e një kredie prej një miliard dollarësh për ndërtesën e saj më të njohur, një kullë zyrash në Manhatan, në adresën 666 Fifth Avenue.

Në fillim të administratës së parë Trump, MBZ dhe MBS ofruan të financonin një fond të posaçëm, i cili do të ndihmonte administratën e re në realizimin e objektivave të politikës së jashtme. Për shembull, fondi mund të ndihmonte në financimin e murit të premtuar nga Trumpi në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara, me synimin për të siguruar një mandat të dytë presidencial.

Fillimisht, dy udhëheqësit arabë diskutuan me Kushnerin mundësinë e investimit të më shumë se 10 miliardë dollarëve në këtë nismë.

Megjithatë, brenda pak muajsh, ndërsa MBZ-ja i bënte presion administratës Trump për të mbështetur përpjekjet e MBS-së për t’u bërë princ i kurorës dhe më pas mbret i Arabisë Saudite, ideja e fondit më të gjerë për politikën e jashtme u braktis.

Në vend të tij, MBZ-ja dhe MBS-ja fillimisht së bashku, e më pas vetëm MBZ-ja, vendosën të paktën 2 miliardë dollarë në të paktën dy llogari bankare të lidhura me Kushnerin.

Nuk dihet saktësisht se si u organizuan pagesat e përbashkëta prej 2 miliardë dollarësh nga dy udhëheqësit arabë, por në praktikë, ata ndanë koston. Për ta kuptuar këtë marrëveshje, duhet parë se ku ndodhej secila llogari bankare dhe kush e kontrollonte atë.

Llogaria bankare “Alpha” mbahej në First Abu Dhabi Bank, banka më e madhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe mbikëqyrej nga vëllai i MBZ-së, Tahnoon bin Zayed, i cili ishte kryetar i bordit të bankës.

Duke filluar nga viti 2017, sauditët dhe emiratët transferuan rreth 750 milionë dollarë në llogarinë Alpha. Kjo llogari do të përdorej si fond për politikën e jashtme. Paratë do të mbikëqyreshin dhe menaxhoheshin pjesërisht nga Kushneri dhe MBZ-ja, të cilët, në përpjekjen e tyre për të arritur një marrëveshje të gjerë që do t’i jepte fund konfliktit izraelito-palestinez, besonin se harta e rajonit duhej të rishikohej.

“Jaredi po kërkonte rrugë të shkurtra në diplomacinë e tij”, tha një burim që kishte dijeni për marrëveshjen mes Emirateve dhe Kushnerit.

Ky person kishte zhvilluar bisedime me zyrtarë të lartë të Emirateve dhe Izraelit për marrëveshjen e fshehtë financiare mes Kushnerit, Emirateve dhe, të paktën fillimisht, Arabisë Saudite.

“Jaredi i premtoi MBZ-së se do ta shtynte përpara agjendën e tyre me Trumpin, nëse ata do të kontribuonin në një fond. Ai dëshironte normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, në mënyrë që biznesi të lulëzonte”, tha burimi.

Një fond i fshehtë, pra një shumë e përbashkët parash që përdoret për objektiva diplomatike jashtë kanaleve zyrtare, ishte një formë e zakonshme korrupsioni në qeveritë e vendeve arabe të Gjirit, shpjegoi ky person.

“Emiratet dhe sauditët e bëjnë këtë një herë në vit. Një apo dy miliardë dollarë nuk janë asgjë për ta dhe, nëse kjo u siguron atë që duan, atëherë janë para të shpenzuara mirë”, tha ai.

Llogaria Alpha dukej si një burim financimi për një program të qeverisë së Emirateve, përmes të cilit MBZ-ja paguante, për shembull, pagat e zyrtarëve ose financonte shkollat shtetërore. Por mënyra se si paratë hynin në llogari dhe personat përmes të cilëve kalonin tregonin se synimi ishte mbajtja e marrëveshjes sekret.

Në thelb, bëhej fjalë për një skemë të fshehtë dhe të dyshimtë, pasi ajo menaxhohej pjesërisht nga një këshilltar i lartë i presidentit të Shteteve të Bashkuara.

Spiunët holandezë që monitoronin llogarinë Alpha vunë re se të gjitha paratë transferoheshin në dollarë amerikanë nga një bankë në Azerbajxhan.

Azerbajxhani ka një rol të veçantë në pastrimin e parave. Banka e tij qendrore mban rezerva të konsiderueshme në dollarë amerikanë, por sistemi bankar nuk zbaton standardet më të larta të transparencës.

Si rezultat, bankat azerbajxhanase kanë krijuar praktika të konsoliduara, por jozyrtare, për të shërbyer si pika kalimi për transferta të mëdha parash. Në këto raste, një valutë e huaj këmbehet me një shumë të barabartë në dollarë amerikanë.

Për një komision prej rreth 6–7 për qind të transaksionit, disa banka në Azerbajxhan pranojnë transferta nga klientë që dëshirojnë të lëvizin qindra miliona dollarë në riale saudite ose dirhemë të Emirateve.

Klienti saudit ose emiratës i dërgon paratë në bankën azerbajxhanase, e cila më pas përdor një llogari tjetër të brendshme bankare për të transferuar shumën përkatëse në dollarë amerikanë drejt destinacionit të kërkuar nga klienti.

Për auditorët, kjo tregti në hije është e vështirë të zbulohet. Një kontroll sipërfaqësor, si ai që kryen holandezët gjatë monitorimit të iPhone-it të Kushnerit, tregonte vetëm një llogari bankare që dukej e lidhur me qeverinë e Azerbajxhanit dhe që kishte dërguar qindra miliona dollarë në një llogari në Dubai.

Por kishte edhe një element tjetër të llogarisë Alpha, të cilin holandezët nuk mund ta shihnin apo ta kuptonin. Ai ndihmonte në zbulimin e qëllimit të vërtetë të parave.

Kushneri nuk ishte pronar i llogarisë bankare në First Abu Dhabi Bank. Ai ishte një person i autorizuar për të kryer veprime në një llogari që zotërohej dhe administrohej nga një fondacion bamirësie emiratës.

Kur MBZ-ja dhe MBS-ja filluan të kontribuonin në llogarinë Alpha në vitin 2017, fondacioni Watani Al Emarat, një organizatë bamirësie e financuar nga qeveria e Emirateve, drejtohej nga Dherar Belhoul Al Falasi.

Al Falasi ishte një teknokrat, anëtar i Këshillit Kombëtar Federal dhe mik i një prej këshilltarëve më të afërt të MBZ-së.

Për këtë arsye, fondacioni Watani kishte edhe një mision të dytë. Sipas burimeve të cituara në investigim, organizata përdorej si mbulesë për të transferuar para në mbështetje të operacioneve të fshehta ushtarake dhe të inteligjencës së Emirateve jashtë vendit.

Një burim konfidencial, i cili kishte njohuri të drejtpërdrejta për programin e përhapjes së armëve të fondacionit, tha se Al Falasi kishte ndihmuar në lehtësimin e programeve sekrete të blerjes së armëve nga Emiratet.

Sipas këtij burimi, emiratët besonin se statusi i fondacionit si organizatë bamirësie do të bënte që transaksionet e tij ndërkombëtare të kontrolloheshin më pak. Kjo e kthente atë në një mbulesë të dobishme për financimin e luftërave të fshehta të MBZ-së dhe vëllait të tij.

MBZ-ja dhe Tahnoon e bënë Kushnerin person të autorizuar për llogarinë Alpha të fondacionit Watani. Në këtë cilësi, ai kishte akses në llogari dhe, teorikisht, mund të kryente transaksione, megjithëse llogaria nuk ishte zyrtarisht në pronësi të tij. Një mënyrë për të kuptuar rolin e Kushnerit në këtë llogari është ta imagjinojmë atë si drejtor të CIA-s.

Nëse ai do të drejtonte një institucion qeveritar përgjegjës për menaxhimin e programeve të fshehta jashtë vendit, mbajtja e një llogarie të tillë do të ishte brenda përgjegjësive të tij, për sa kohë që veprimtaria do të kishte miratimin e presidentit dhe do t’i raportohej Kongresit. Por Kushneri nuk ishte drejtor i CIA-s. Ky pozicion kërkon miratimin e Senatit dhe operacionet e tij mbikëqyren nga Kongresi.

Në vend të kësaj, Kushneri mbikëqyrej vetëm nga vjehrri i tij, Donald Trumpi. Sipas katër zyrtarëve të lartë të administratës Trump – dy këshilltarë për sigurinë kombëtare, një shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë dhe një ish-drejtor i CIA-s – ata nuk kishin dijeni për ndonjë autorizim presidencial që i lejonte Kushnerit të kishte akses në një llogari bankare të një qeverie të huaj.

Megjithatë, avokati i Kushnerit deklaroi se klienti i tij nuk kishte bërë marrëveshje apo aranzhime me udhëheqës ose zyrtarë të huaj pa miratimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe se çdo veprim ishte në interesin më të mirë të SHBA-së.

 

Top Channel