“Fali budallenjtë o Zot se nuk dinë çfarë flasin! ”/ Fuga kundër krahasimeve të protestave: Ku kërkesat e studentëve francezë e evropianë dhe ku protestuesit te ne

23/10/2026 15:56

Akademiku Artan Fuga ka komentuar krahasimet mes protestave të ditëve të fundit në Shqipëri dhe lëvizjeve studentore në Francë e vende të tjera të Evropës, duke i cilësuar ato si produkt të propagandës dhe keqinformimit.

Përmes një paralelizmi me vitin 1968, Fuga kujton se si propaganda e regjimit komunist barazonte lëvizjen studentore në Francë me aksionet e rinisë shqiptare për ndërtimin e hekurudhave.
“Fali budallenjtë o Zot se nuk dinë çfarë flasin”, shkruan Fuga, ndërsa argumenton se edhe sot po krahasohen lëvizje që, sipas tij, kanë kërkesa, qëllime dhe realitete të ndryshme. Ai sjell shembullin e Gradishtës dhe Parisit të vitit 1968 për të ilustruar atë që e konsideron një shtrembërim propagandistik që përsëritet edhe në ditët e sotme.

Postimi i plotë:

(Nga budalliqet e historisë shqiptare)
Kur dëgjoj, lexoj, shoh sesi barazojnë lëvizjet e protestave në Tiranë dhe gjetiu me lëvizjet studentore në Francë a gjetiu nëpër Evropë, buzëqesh hidhur dhe them fali budallenjtë o Zot se nuk dinë çfarë flasin!
Tmerr është, por propaganda dhe komunikimi strategjik ndërkombëtar gjithçka e bën lëmsh! Ngatërron gjithçka, prodhon keqinformim, dezinformim dhe lloj – lloj broçkullash të tjera.
Dhe buzëqeshja më vjen si e shkrirë gazit kur më kujtohet një shembull gjashtëdhjet vjet më parë që si fëmijë e përjetova, por më pas e studjova me rrënjë.
Në vitin 1968 në Francë dhe Evropë plasi lëvizja studentore që transformoi të gjithë botën, duke krijuar botën ku jetojmë, mirë a keq.
Enveri ynë shkon në Gradishtë ku bënin aksione rinia në ndërtim hekurudhash, një hap më larg se ku kishte vatrat e kampeve për të internuar.
Mban një fjalim para studentëve që me shaje në qafë, me hov revolucionar brohorisnin dhe aprovonin fjalët e tij se studentët në Evropë po bënin revolucionin proletar aq të shumëpritur. Kurse ata po ndërtonin hekurudhat socialiste!
Ndërkohë e vërteta ishte se as bëhej fjalë për një interpretim të saktë. Vetëm revolucion proletar nuk donin studentët evropianë, ata ishin ngritur edhe kundër ideologjisë marksiste.
Por, ne ashtu na u propogandua. Ashtu besohej se kapitalizmin po e hidhnin në tokë studentët.
Pastaj oratori tha se të njëjtën gjë po bënte edhe rinia revolucionare në Shqipëri. Nuk po rrëzonte kapitalizmin, por po ndërtonte socializmin. Duke bërë punë vullnetare. I njëjti revolucion!
Në fakt dy gënjeshtra bashkë. Rinia evropiane nuk po rrëzonte kapitalizmin dhe nuk po bënte revolucionin socialist, dhe vullnetarët në aksion nuk po ndërtonte shoqërinë pa shfrytëzim, por po shfrytëzoheshin kot më kot për punë skllavi të papaguar!
Ja kjo më kujtohet sot kur dëgjoj se studentët në Evropë po bëjnë si ne Antifën, a ku dreqin e di se ç’emër i vënë autokratët injorantë, dhe se ne si ata po bëjmë Antifën. Ku kërkesat e studentëve Francezë e evropianë, për çfarë aspirojnë ata, dhe ku protestuesit paqësorë te ne, studentë a të tjerë, që nuk ç’plasin nga marazi kur zyrtarisht marrin vesh se dhjetëra hajdutë me çizlme u vjedhin edhe mundësitë e një jete minimale!
Dhe buzëqesh hidhur, jo me ata që e bëjnë propagandën e gënjeshtër sepse mbrojnë vjedhjen në grup ku janë pjesëmarrës, por për ata që e përsërsin si idiotë, dhe ata që e besojnë si nevojë për të qetësuar ndërgjegjen e përgjumur!

Top Channel