BE-ja i kërkon SHBA-së të tërheqë sanksionet ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Kaja Kallas: Sulmet ndaj institucionit janë të papranueshme
Sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 po ndikon zgjedhjet politike të brezit të ri në Izrael.
Rreth 550 mijë të rinj pritet të votojnë për herë të parë këtë muaj. Sipas një sondazhi, 74 për qind e tyre e vendosin veten djathtas ose në qendrën e djathtë, me sigurinë si shqetësim kryesor.
Për Amihain, 18 vjeç, zgjedhjet e 27 tetorit lidhen para së gjithash me mbijetesën. “Nuk votoj për atë që do të më ndihmojë të blej një apartament pas dhjetë vjetësh, por për atë që garanton se do të jem ende gjallë këtu”, thotë ai për AFP-në.
I pranishëm në një tubim që kërkon vendbanime hebraike në Gazë, Amihai mbështet partinë ultranacionaliste të ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir.
Ai është pjesë e një brezi që është rritur gjatë qeverisjes së Benjamin Netanyahut. Sipas analistes Dahlia Scheindlin, zhvendosja djathtas e të rinjve hebrenj izraelitë ka rreth dy dekada që ndërtohet. Brezat e vjetër kujtojnë shpresën për marrëveshje paqeje me palestinezët; për shumë të rinj, kjo perspektivë është zbehur.
Sondazhi i televizionit izraelit Channel 12 tregon se 74 për qind e votuesve të rinj identifikohen me të djathtën ose qendrën e djathtë. Por ka edhe zëra që kërkojnë një rrugë tjetër.
Gili, 18 vjeçe, mbështet demokratët e qendrës së majtë. Ajo thotë se frika pas sulmit të Hamasit e ka bërë shoqërinë më radikale dhe më mosbesuese ndaj paqes. Ndërsa bashkëmoshatari i saj, Yuval, kërkon një marrëveshje politike me palestinezët.
“Menaxhimi i konfliktit nuk është zgjidhje”, thotë ai, duke kërkuar një të ardhme ku të rinjtë të mund të ndërtojnë jetën e tyre.
Top Channel