Nafta në qendër të paktit Trump-Putin, goditet terminali në Rostov, Kievi kundërshton furnizimin e SHBA-së nga Rusia

10/10/2026 17:17

Rusia është e gatshme të furnizojë Shtetet e Bashkuara dhe tregjet botërore me naftë dhe nënprodukte. Kremlini konfirmoi se kjo ofertë iu paraqit Donald Trumpit nga Vladimir Putin gjatë telefonatës së të premtes.

Trump kishte njoftuar më herët se presidenti rus kishte pranuar të ofronte naftë për tregun amerikan dhe atë ndërkombëtar. Zëvendëskryeministri rus përgjegjës për energjinë, Alexander Novak, paraqiti sasitë që Moska është e gatshme të furnizojë: 300 mijë tonë naftë gjatë tetorit, 500 mijë tonë në nëntor dhe një milion tonë në dhjetor.

Sipas tij, në afat më të gjatë, furnizimet mund të arrijnë deri në tre milionë tonë në muaj. Oferta është kundërshtuar menjëherë nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai e cilësoi vendimin të dobët dhe të padenjë për partnerët e Ukrainës. Sipas Zelenskyt, shitja e karburanteve do t’i sjellë Moskës para shtesë për luftën dhe do t’i japë Putinit mundësi të intensifikojë sulmet.

Presidenti ukrainas kritikoi edhe bisedimet e delegacionit të Kievit me të dërguarit amerikanë në Florida. Ai pretendoi se takimet kishin shërbyer si mbulesë për marrëveshjen energjetike me Moskën. Kremlini njoftoi se telefonata Putin–Trump përfshiu gjithashtu luftën në Ukrainë, situatën rreth Iranit dhe marrëdhëniet dypalëshe. Moska ka paraqitur kështu një ofertë furnizimi, ndërsa Kievi paralajmëron se përfitimet ekonomike të Rusisë mund të rëndojnë drejtpërdrejt mbi luftën.

Top Channel