“Grupet kriminale kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të Belinda Ballukut”, deputeti i PD i bën jehonë investigimit të “Fiks Fare”: Palestrën duhet ta bëjë te 313-a

08/10/2026 14:34

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka ngritur akuza ndaj Belinda Ballukut gjatë protestës së zhvilluar pranë Parlamentit.

Ai tha se në dosjen hetimore ka të dhëna për kërcënime ndaj dëshmitarëve nga grupe kriminale, të cilat, sipas tij, kanë vepruar në emër të Ballukut. Në deklaratën e tij, deputeti demokrat iu referua edhe pasurive që pretendon se janë zbuluar gjatë hetimeve.

“E keni në dosje që grupet kriminale kanë kërcënuar dëshmitarë në emër të Belinda Ballukut. Pyeteni atë që bën si prokuror, Brahon, nëse është apo nuk është e vërtetë dhe thuaj pse nuk është arrestuar akoma?! Sa vila duhet t’i dalin kësaj zonje?! Duhet të sjellin fletarrestin. Të kisha qenë unë prokuror, nuk shkonte në palestër, por shkonte në burg, e bënte palestrën te 313”, deklaroi Balliu.

Deputeti demokrat kërkoi në foltoren e Kuvendit, që Prokuroria të hetojë urgjentisht aksidentin e gazetares së “Fiks Fare”, duke e lidhur këtë kërkesë me pyetjet që, sipas tij, gazetarja i kishte drejtuar Belinda Ballukut para aksidentit.

“Sot më shumë se kurrë disa kolegë këtu kanë mundësi të vendosur partinë apo Shqipërinë. Janë kërcënuar sot zyrtarisht kush voton kundër del nga grupi. Prokuroria duhet të hetojë urgjentisht aksidentin e gazetares që sa pyet Belindën i ndodh në aksident. Ne nuk ngremë dot akuzë, se nuk kemi fakte, por një hetim duhet atje.

Një hetim urgjent sepse dosja fillestare që kanë sjellë për Belindën thoshte që grupet kriminale kanë kërcënuar dëshmitarët. Dosja e SPAK që doni ju, prandaj duhet hetim edhe për atë. Ju keni mundësi të zgjidhni në sytë e çdo dëshmitari, ne e dimë që do të zgjidhni partinë të 84 që jeni. Ju midis Shqipërisë dhe partisë do të zgjidhni Partinë”, tha ai.

Top Channel