Euro zbret deri në 87 lekë, Banka e Shqipërisë shton blerjet, rezerva valutore arrin 8.4 miliardë euro

07/10/2026 16:52

Tatëpjeta e euros ka vijuar edhe më shumë në këtë fillim tetori, duke kapur kështu minimume të reja në tregun e këmbimit valutor shqiptar. Nga markete, pika shitjeje dhe blerjeje, institucione financiare, monedha evropiane është këmbyer edhe për 87 lekë, duke u zhvlerësuar ndjeshëm përballë superlekut.

Ekspertët e ekonomisë, përtej shkaktarëve të përhershëm, e lidhin këtë ecuri edhe me efektet e përafrimit të sektorëve me direktivat e Bashkimit Evropian.

​“Këtu do të doja ta lidhja dhe me konvergjencën që ka ekonomia e Shqipërisë me ekonomitë e vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian, ku ne aspirojmë të bëhemi palë. Dhe është një qasje për të arritur këtë lloj konvergjence, do të ketë dhe një efekt të caktuar në kurset e këmbimit apo në normat e inflacionit. Kjo është një zgjidhje dhe një mundësi e cila, ashtu siç ka ndodhur dhe me Çekinë, po ndodh edhe me Shqipërinë. Në një tjetër qasje është rasti i Serbisë dhe Rumanisë, dhe në një kombinim të të dyjave kemi rastin e Polonisë”, tha eksperti Artur Ribaj.

Ndërsa oferta e euros në ekonomi mbetet e lartë, Banka e Shqipërisë ka shtuar blerjet në treg në përpjekje për të amortizuar forcimin e lekut. Duke bërë që rezerva valutore të arrijë deri në 8.4 miliardë euro, rreth 1.3 miliardë më shumë se një vit më parë.

Për efektin e kursit të këmbimit në ekonomi, ministria e ekonomisë deklaroi se do të bëhen studime për të parë reflektimin në sektorë të ndryshëm që operojnë me këtë valutë. Por për ekspertët këto studime nuk do të ndikojnë në treg përballë një zhvlerësimi kaq të ndjeshëm.

“Mendoj që nuk ka për të dhënë ndonjë efekt të madh, sado studime apo ndërmarrje të tjera të bëhen, pasi dhe pak më parë e thashë se çfarë force reale ka leku. Ndërkohë që do të flasim për një rivlerësim të tij, në rritje të vlerës së tij në raport me euron, por jo me fuqinë blerëse të vetë. Dhe si pasojë mendoj se trendet do të vazhdojnë të jenë të tilla. Dhe sado do të ketë patjetër dhe mirë është të bëhen përpjekje për të mos pasur abuzime, por trendet do të vazhdojnë të konvergojnë në drejtim të ekonomive më të zhvilluara të Evropës”, tha eksperti Artur Ribaj.

Një lek gjithnjë e më i fortë, një euro gjithnjë e më e dobët dhe një rezervë valutore që nuk ka qenë kurrë kaq e lartë. Sipas ekspertëve tani beteja nuk është më vetëm për kursin, por për pasojat që po lë në ekonomi.

Top Channel