Ndezi zjarrin për djegien e mbeturinave dhe situata i doli jashtë kontrollit, arrestohet 33-vjeçari në Mallakastër

04/10/2026 11:29

Një 33-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Mallakastrës, pasi dyshohet se ndezi zjarr për djegien e mbeturinave në tokën e tij në fshatin Mollaj, por flakët u përhapën për shkak të erës së fortë, duke shkaktuar dëme në tokat përreth të mbjella me ullinj dhe duke djegur çatinë e një banese.

Në pranga ka rënë shtetasi D. K., 33 vjeç, banues në Ballsh, i dyshuar për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Sipas hetimeve të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mallakastër, zjarri ka rënë ditën e djeshme në fshatin Mollaj. 33-vjeçari dyshohet se ka ndezur zjarr për të djegur mbeturina në tokën e tij, ndërsa era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve në sipërfaqe të tjera.

Si pasojë e zjarrit janë shkaktuar dëme në ullinjtë e tokave përreth, ndërsa flakët kanë përfshirë edhe çatinë e një banese.

Për shuarjen e zjarrit u angazhuan shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër dhe ato të shërbimit zjarrfikës, të cilat arritën të neutralizojnë vatrat e zjarrit. Sipas policisë, nga ngjarja nuk pati pasoja për jetën e njerëzve.

Pas arrestimit, materialet procedurale i janë referuar organeve kompetente për veprime të mëtejshme.

Top Channel