Gjimshiti shkruan historinë me Kombëtaren, arrin 76 ndeshje dhe ngjitet më lart në listën e legjendave

03/10/2026 14:40

Berat Gjimshiti ka regjistruar një tjetër moment të rëndësishëm me fanellën e Kombëtares shqiptare.

Mbrojtësi kuqezi ka arritur në kuotën e 76 ndeshjeve me Shqipërinë, duke kaluar në këtë renditje dy emra të njohur të historisë së Kombëtares, Erjon Bogdanin dhe Ervin Skelën.

Në përballjen ndaj Finlandës, Gjimshiti e ka nisur sërish takimin nga minuta e parë, duke mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Kjo është paraqitja e tij e tretë radhazi si titullar në këtë edicion të Ligës së Kombeve.

Mbrojtësi 31-vjeçar mbetet një prej pikave kryesore të repartit defensiv të kuqezinjve, ndërsa së bashku me shokët e skuadrës kërkon të ruajë edhe një herë portën të paprekur. Shqipëria kishte arritur ta bënte këtë në dy ndeshjet e mëparshme, ndaj Bjellorusisë dhe San Marinos.

Me 76 paraqitje, Gjimshiti vazhdon ngjitjen në listën e futbollistëve me më shumë ndeshje për Kombëtaren shqiptare. Rekordin e mban Elseid Hysaj, i cili ka kaluar shifrën e 100 paraqitjeve.

Pas Hysajt, në këtë renditje gjenden edhe emra si Lorik Cana, Etrit Berisha, Altin Lala dhe Klodian Duro.

Gjimshiti është tashmë vetëm një ndeshje larg Klodian Duros, ndërsa për të barazuar kuotën e Altin Lalës i duhen edhe tri paraqitje të tjera me fanellën kuqezi.

Top Channel