Përplasje Tebas-Real Madrid, presidenti i LaLiga-s nxjerr në pah transfertat prej 7.5 milionë eurosh: Mjaft me gënjeshtrat dhe manipulimet

30/09/2026 15:47

Presidenti i LaLiga-s, Javier Tebas, ka reaguar sërish ndaj Real Madridit, duke iu përgjigjur një përdoruesi në rrjetet sociale që kishte publikuar një video të Real Madrid TV lidhur me një dokument të Barcelonës për një kredi prej 4.5 milionë eurosh ndaj kompanisë Audiovisual New Aged, e lidhur me Tebas.

Tebas akuzoi Real Madrid TV se ka paraqitur në mënyrë të shtrembëruar çështjen dhe se ka lënë jashtë disa elemente që, sipas tij, janë shpjeguar më herët.

“Po i përgjigjem @AdriiRM33, i cili postoi një video të Real Madrid TV që gënjen, shtrembëron dhe fsheh arsyen dhe qëllimin e Audiovisual New Aged, përveçse injoron dhjetëra herët që kjo çështje është shpjeguar”, shkroi Tebas.

Më tej, kreu i LaLiga-s solli në vëmendje edhe marrëdhëniet financiare të Real Madridit me të njëjtën kompani.

“Kam bashkëngjitur dy shembuj transferimesh nga Real Madridi te Audiovisual New Aged. Midis viteve 2011 dhe 2013, transferimet e klubit te kjo kompani arritën në total 7,513,333.55 euro. Po, te e njëjta kompani ku kontribuonte edhe FC Barcelona. Çfarë surprize!”, deklaroi ai.

Tebas kërkoi gjithashtu që drejtues të Real Madridit të shpjegojnë arsyet e këtyre transfertave dhe përmendi një email të datës 9 maj 2018.

“Pyetni JAS dhe Chitín del Valle pse u bënë ato transferime dhe cili ishte qëllimi i tyre. Dhe le ta shpjegojë edhe Chitín emailin e 9 majit 2018 dhe kush i dha udhëzimet për atë email”, vijoi ai.

Në fund, Tebas iu drejtua sërish përdoruesit që kishte publikuar videon, duke i kërkuar të dërgonte dokumentet për një tjetër material të Real Madrid TV.

“Dërgoju dokumentet, @AdriiRM33, dhe kërkoju të bëjnë një video tjetër. Këtë herë duke shpjeguar se çfarë po fshehin tani. Vazhdon… mjaft me gënjeshtrat dhe manipulimet”, përfundoi presidenti i LaLiga-s.

Top Channel