“Jam këtu me ju”/ Akuzat ndaj Manchester Cityt, vjen reagimi i parë i Pep Guardiolës: Do e kalojmë këtë së bashku

30/09/2026 14:56

Pep Guardiola ka reaguar pas vendimit të Premier League ndaj Manchester Cityt, duke shprehur mbështetjen e tij të plotë për klubin në një moment të vështirë.

Një Komision i Pavarur e ka shpallur Manchester Cityn përgjegjës për të gjitha akuzat që lidhen me shkelje të rënda të rregullave financiare të Premier League gjatë një periudhe nëntëvjeçare, si edhe për shumicën e akuzave që lidhen me mungesën e bashkëpunimit me hetimin.

Pas njoftimit zyrtar, Guardiola reagoi publikisht duke iu drejtuar tifozëve të Manchester Cityt.

“Dua që çdo tifoz i Manchester Cityt në mbarë botën ta dijë se jam këtu, më shumë se kurrë”, u shpreh Guardiola.

“Jam dhe gjithmonë kam qenë, dhe gjithmonë do të jem, pas klubit tim, pronarit, presidentit, Ferran, lojtarëve, stafit, Enzos dhe ju, tifozëve tanë unikë. Le të jemi të qartë: do ta kalojmë këtë së bashku. Ju dua të gjithëve”, shtoi ai.

Akuzat lidhen me periudhën 2009-2018, ndërsa Guardiola iu bashkua Manchester Cityt në vitin 2016. Në sezonin e fundit të përfshirë në periudhën e hetuar, spanjolli fitoi titullin e tij të parë në Angli me klubin.

Manchester City ka deklaruar se disponon prova që i konsideron të pakundërshtueshme për mbrojtjen e pozicionit të tij dhe ka bërë të ditur se do të apelojë vendimin.

Gjatë periudhës së tij si trajner, Guardiola udhëhoqi Cityn drejt katër titujve radhazi në Premier League, 100 pikëve në një sezon, Champions League dhe tripletës. Në total, ai fitoi 17 trofe madhorë me klubin.

Top Channel