Anglia do të rikthehet në BE? Burnham: Marrëveshja post-Brexit bëri shumë dëme

30/09/2026 15:27

Kryeministri britanik Andy Burnham la të kuptohet se rikthimi i vendit të tij në Bashkimin Europian është një nga opsionet që ekzekutivi i drejtuar prej tij mund të shqyrtojë për të riformësuar marrëdhënien afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar me Europën.

Burnham i tha BBC-së se marrëveshja pas Brexit-it kishte shkaktuar “më shumë dëme sesa të mira” dhe shtoi se donte të shihte se “çfarë është e realizueshme” me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve.

Deklaratat vijnë një ditë pasi Burnham mbajti fjalimin e tij të parë në konferencën e Partisë Laburiste si kryeministër. Një lëvizje e tillë nga ana e tij mund të shkaktojë, sipas medias së njohur, ndasi të mëdha përpara zgjedhjeve të përgjithshme, teksa konservatorët kanë nxituar ta akuzojnë se po përpiqet të “rihapë plagët e vjetra duke rinisur betejat e viteve të shkëputjes nga blloku europian”.

Dhe kjo, në një kohë kur vetë qe shprehur përpara marrjes së postit se nuk do t’i “rikthente” debatet e Brexit-it. Komentet e tij të fundit, megjithatë, sipas BBC-së, janë treguesi më i qartë deri tani se Burnham mund të bëjë një shkëputje nga manifesti elektoral i Laburistëve i vitit 2024, i cili premtonte “që Brexit-i të funksionojë”, dhe përjashtonte rikthimin në bashkimin doganor ose në tregun e përbashkët të BE-së.

Paraardhësi i tij, Keir Starmer, kishte tentuar një rivendosje më të kufizuar të marrëdhënieve, duke përfshirë në axhendën e tij përafrimin me standardet ushqimore të BE-së, një marrëveshje për vizat e të rinjve dhe afrimin e industrisë britanike me sistemin e bllokut europian për tregtimin e karbonit.

Top Channel