“Më mori në telefon dhe dukej shumë i lumtur”, deklaratat e fortë e vëllait të Princeshë Dianës: Pas vdekjes së saj, Mbreti Charles më tronditi me deklaratën

18/09/2026 18:11

Vëllai i Princeshë Dianës, Earl Spencer, ka rikthyer në vëmendje një prej episodeve më të debatueshme pas vdekjes së saj, duke këmbëngulur se “Mbreti Charles i tha se “do ta harrojmë shpejt” motrën e tij”.

Në një intervistë për BBC, Spencer tha se është duke treguar të vërtetën për një telefonatë që, sipas tij, ka ndodhur pak ditë pas vdekjes së Dianës, në gusht të vitit 1997.

Sipas rrëfimit të tij, telefonata lidhej me diskutimin nëse princat Ëilliam dhe Harry duhej të ecnin pas arkivolit të nënës së tyre gjatë ceremonisë mortore. Spencer thotë se kundërshtoi këtë ide, duke argumentuar se Diana nuk do ta kishte dashur një gjë të tillë për fëmijët e saj.

Ai pretendon se atëherë Princi Charles, siç ishte titulli i tij në atë kohë, reagoi me zemërim dhe foli gjatë për detyrën e familjes mbretërore. Më pas, sipas Spencer, ai tha: “Do ta harrojmë shpejt.”

“Unë mund t’ju them tani se këto janë saktësisht fjalët që ai tha”, deklaroi Earl Spencer për BBC.

Buckingham Palace reagoi ashpër ndaj pretendimit në librin e ri të Spencer, duke thënë se Mbreti është i vetëdijshëm se “dhimbja e humbjes së një vëllai apo motre mund të ndikojë në arsyetim, gjykim dhe kujtesë”, edhe shumë vite pas një humbjeje të tillë.

Spencer e cilësoi reagimin e Pallatit si një mënyrë për të vënë në dyshim kujtesën e tij.

“Kanë thënë se kujtimet mund të ndryshojnë, apo jo?”, u shpreh ai. I pyetur se cilit version duhet t’i besojë publiku, përgjigjja e tij ishte e prerë: “Unë po them të vërtetën.”

Spencer thotë se në atë kohë u tregoi familjarëve dhe miqve të tij për telefonatën, pikërisht sepse, sipas tij, fjalët e Charles ishin aq tronditëse.

Ai ka rrëfyer gjithashtu se, pas aksidentit fatal të Dianës në Paris më 31 gusht 1997, Charles e telefonoi dhe, sipas tij, tingëllonte jashtëzakonisht i gëzuar, në një kontrast të fortë me njerëzit e tjerë që e telefonuan për t’i shprehur ngushëllimet.

Libri i Earl Spencer, “Swan Song: Diana, My Sister”, pritet të publikohet javën e ardhshme dhe pritet të përmbajë kritika të forta ndaj familjes mbretërore britanike.

Vdekja e Dianës, në moshën 36-vjeçare, shkaktoi një tronditje të madhe publike në Britani. Familja mbretërore u kritikua në atë kohë për mënyrën se si reagoi ndaj humbjes së saj dhe për mungesën e shfaqjes së emocioneve publike.

Ndërkohë, Princi Harry ka folur më herët për momentin kur, në moshën 12-vjeçare, eci pas arkivolit të nënës së tij. Ai ka thënë se “asnjë fëmijë nuk duhet të detyrohet të përjetojë një situatë të tillë”, megjithëse më vonë deklaroi se, duke e parë pas shumë vitesh, ishte i kënaqur që kishte qenë pjesë e ceremonisë.

Top Channel