Mbi 220 mijë turistë në Kala, vetëm 18 mijë hyjnë në Muzeun e Armëve, bileta shtesë ngre pikëpyetje

06/09/2026 12:17

Pavarësisht numrit të lartë të turistëve që vizitojnë Kalanë e Gjirokastrës, Muzeu i Armëve brenda saj ka regjistruar vetëm rreth 18 mijë vizitorë.

Diferenca e madhe mes dy shifrave ngre pikëpyetje mbi aksesin e turistëve në këtë hapësirë muzeale. Një prej problematikave të evidentuara është edhe pagesa e veçantë e biletës për Muzeun e Armëve, e cila për turistët nënkupton një kosto shtesë, pasi hyrja në muze nuk përfshihet në biletën e Kalasë.

Kjo situatë duket se po ndikon në numrin e vizitorëve të Muzeut të Armëve, pavarësisht se ai ndodhet brenda një prej monumenteve më të vizituara të Gjirokastrës.

Me mbi 220 mijë vizitorë në Kala, vetëm një pjesë e vogël e tyre zgjedhin të paguajnë edhe për të vizituar muzeun, duke e kthyer çështjen e tarifimit në një nga faktorët që kërkon rishikim për të rritur aksesin dhe vizitueshmërinë.

Top Channel