Zjarri përfshin masivet pyjore në Tropojë, flakët rrezikojnë pemët mbi 100-vjeçare në Nikaj-Mërtur

05/09/2026 16:29

Një vatër zjarri është shfaqur ditën e sotme në zonën e Nikaj-Mërturit, në Tropojë, konkretisht në Lugun e Ndërmajës, duke përfshirë nga flakët masive pyjore me pemë mbi 100-vjeçare.

Pas një periudhe të gjatë me temperatura të larta dhe disa vatrave zjarri të raportuara në zona të ndryshme të vendit, situata në Tropojë kishte qenë e qetë deri më tani, pa raste të raportuara gjatë kësaj periudhe.

Zjarri përbën një kërcënim serioz për masivet pyjore të zonës, veçanërisht për pemët shekullore, duke e bërë ndërhyrjen e shpejtë të strukturave përgjegjëse të domosdoshme për frenimin e përhapjes së flakëve.

Në kushtet e temperaturave të larta dhe terrenit të vështirë malor, situata kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe angazhim të mjeteve dhe forcave të emergjencës për të vënë nën kontroll vatrën e zjarrit.

Top Channel