Një ngjarje tragjike ka ndodhur gjatë zhvillimit të rally-t Mille Miglia në zonën e Brescias, në Itali. Një spektator ka humbur jetën pasi është përplasur nga një prej makinave që garonte në aktivitet.

Aksidenti ndodhi pasditen e së shtunës, 5 shtator, në Bione, në zonën e Valsabbias, në provincën e Brescias. Sipas rindërtimeve të para, makina ka dalë nga rruga në një kthesë dhe ka goditur spektatorin që ndodhej pranë itinerarit të garës.

Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve të emergjencës, i plagosuri nuk ka mundur të mbijetojë.

Pas aksidentit fatal, drejtimi i garës vendosi të pezullojë menjëherë rally-n. Përfundimi i tetë etapave speciale ishte planifikuar për pasditen e së shtunës në Piazzale Arnaldo, në Brescia.

Autoritetet italiane nuk kanë bërë ende publik zyrtarisht identitetin e viktimës. Sipas agjencisë ANSA, bëhet fjalë për një 63-vjeçar nga Torino, i cili kishte udhëtuar nga Piemonte së bashku me bashkëshorten për të ndjekur garën.

Aksidenti ndodhi në një segment që gjatë ditës së fundit të kompeticionit parashikohej të përshkohej dy herë. Vetëm pak orë më herët ishte regjistruar edhe një tjetër incident, ku një makinë kishte përfunduar në një greminë, por pa pasoja të rënda.

Ngjarja tragjike ka tronditur zhvillimin e Mille Miglia-s, ndërsa autoritetet kanë nisur verifikimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit.

Top Channel