“Sezon pozitiv vetëm nëse fitojmë Scudetton”/ Blerja e re e Milanit nuk i fsheh objektivat: Më pëlqen presioni

04/09/2026 14:24

Gonçalo Ramos shpreson që aventura e tij te Milani të shoqërohet me trofe dhe nuk e fsheh objektivin kryesor për sezonin.

Sulmuesi portugez deklaroi se një sezon pozitiv për të do të ishte ai që do ta shihte Milanin të shpallej kampion i Italisë.

“Do të jetë një sezon pozitiv për mua nëse fitojmë Scudetton”, u shpreh Ramos në një intervistë për DAZN, duke theksuar edhe gatishmërinë për të përballuar presionin.

“Nuk mendoj se sa jam paguar. Nëse kanë shpenzuar kaq shumë, do të thotë se kanë besim tek unë. Më pëlqen presioni; dua të bëj diçka magjike për këtë klub”, tha sulmuesi.

Ramos e ka nisur aventurën te Milani me gol në debutimin në “San Siro” ndaj Venezias, pavarësisht se më herët kishte humbur disa raste shënimi. Për të, e rëndësishme është të mos ndalet te gabimet.

“Nëse mendon për gabimet e tua çdo herë, nuk mund ta ndihmosh ekipin dhe të shënosh golin e radhës”, deklaroi portugezi.

Ish-lojtari i PSG-së dhe Benficës foli edhe për fanellën me numrin 9, e cila në vitet e fundit ka qenë një barrë për disa sulmues të Milanit.

“Mallkimi i fanellës me numër nëntë? Nuk mendoj për këtë. Nuk ishte problem për Giroud. Të veshësh këtë numër është një nder, jo problem”, u shpreh Ramos.

Në fund, sulmuesi tregoi edhe një detaj nga transferimi i tij te Milani, duke zbuluar se trajneri Ruben Amorim e kishte telefonuar gjatë kohës kur ai ishte në Kupën e Botës.

“Amorim më telefonoi ndërsa isha në Kupën e Botës dhe do ta kujtoj gjithmonë. Por unë isha tashmë i bindur se do të vija në Milano”, përfundoi Gonçalo Ramos.

Top Channel