Prokurorët rumunë kanë ngritur akuza të reja ndaj influencuesit Andrew Tate, përfshirë trafikimin e të miturve, pastrimin e parave dhe aktivitetin seksual me të mitur.
Në të njëjtën çështje përfshihet edhe vëllai i tij, Tristan Tate, i cili akuzohet për bashkëpunim në trafikimin e të miturve.
Hetimi është zgjeruar nga agjencia rumune kundër krimit të organizuar, DIICOT, pasi Gjykata e Apelit të Bukureshtit në dhjetor 2024 e ktheu dosjen te prokurorët për rishikim të një pjese të hetimit.
Autoritetet rumune po hetojnë gjithashtu pretendimet se vëllezërit Tate kanë pastruar rreth 3 milionë euro, që dyshohet se kanë ardhur nga trafikimi i qenieve njerëzore, përmes dy kompanive gjatë periudhës 2018-2022.
Andrew dhe Tristan Tate i kanë mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar çështjet ndaj tyre si të pabaza dhe të motivuara politikisht.
Vëllezërit ndodhen aktualisht në Shtetet e Bashkuara dhe po përpiqen të shmangin ekstradimin në Mbretërinë e Bashkuar, ku përballen me rreth 60 akuza, përfshirë përdhunim, trafikim qeniesh njerëzore dhe shfrytëzim seksual.
Çështja në Rumani vijon prej arrestimit të tyre në dhjetor 2022 dhe procesi gjyqësor ka avancuar ngadalë.
Top Channel