Zjarret masive përfshijnë Indonezinë prej javësh, miliona njerëz nën kërcënimin e mjegullës toksike
Presidenti amerikan Donald Trump po shqyrton mundësinë për të shpallur fundin e luftës me Iranin, ndërsa në prapaskenë Pentagoni po përforcon praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.
Sipas një raportimi të The Wall Street Journal, Trump e ka diskutuar këtë çështje privatisht me këshilltarët e tij të lartë. Presidenti raportohet se është në favor të shpalljes së fundit të luftës, duke besuar se presioni ekonomik ndaj Teheranit mund ta detyrojë Iranin të heqë dorë nga programi i tij bërthamor ose të përballet me një krizë të rëndë të brendshme.
Në të njëjtën kohë, administrata amerikane po vazhdon presionin ekonomik ndaj Iranit. Javën e kaluar, SHBA nisi Operacionin “Pariah Ekonomik”, i cili synon sektorë të rëndësishëm të ekonomisë iraniane, përfshirë industrinë e naftës, transportin detar, aviacionin, arin, teknologjinë dhe ekonominë digjitale. Por, ndërsa në nivel politik diskutohen mundësitë për t’i dhënë fund konfliktit, Pentagoni po përgatitet për një skenar shumë më të gjatë.
Sipas WSJ, ushtria amerikane po zgjeron dislokimet në rajon, në një sinjal se konflikti mund të zgjasë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Aktualisht, SHBA ka rreth 50 mijë trupa dhe 19 anije luftarake në Lindjen e Mesme.
Mes tyre janë dy aeroplanmbajtëse dhe 13 shkatërrues të pajisur me raketa të drejtuara. Prania e tyre synon t’i japë presidentit Trump më shumë fleksibilitet për të reaguar në varësi të zhvillimeve në terren.
Kështu, ndërsa Shtëpia e Bardhë diskuton mundësinë e mbylljes zyrtare të luftës, përgatitjet ushtarake amerikane tregojnë se Uashingtoni nuk po përjashton një konflikt të zgjatur me Iranin.
Top Channel