Një dokument i përshkruar si “Top sekret 2”, dhe i përfshirë në aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh, ka nxitur debat të madh në Kosovë për shkak të pretendimeve për lidhje mes komunitetit mysliman dhe shërbimit serb të inteligjencës BIA.

Autorësia dhe autenticiteti i dokumentit në fjalë ende nuk janë sqaruar publikisht. Aty pretendohet se fonde nga “ambasadat islamike” në Beograd do të përdoreshin për ndërtimin e xhamive në Kosovë, me qëllim rritjen e ndikimit islam, përçarjen e shqiptarëve dhe krijimin e kushteve që do t’i shërbenin interesave të Serbisë.

Prokuroria e ka përfshirë dokumentin si material në cështjen e Shehollit, por nuk ka bërë të ditur publikisht se çfarë provash dëshmojnë vërtetësinë e tij. Bashkësia Islame e Kosovës i mohon me forcë këto pretendime dhe e cilëson dokumentin si të sajuar, duke kërkuar nga institucionet që të hetojnë origjinën e tij.

BIK-u thekson gjithashtu se ndërtimi dhe financimi i xhamive në Kosovë është bërë përmes procedurave ligjore. Publikimi i aktakuzës ka shkaktuar edhe akuza në rrjetet sociale ndaj BIK-ut dhe komunitetit mysliman në përgjithësi. Ekspertët paralajmërojnë se një rast që duhet të trajtohet në mënyrë individuale dhe gjyqësore po rrezikon të shndërrohet në fajësim kolektiv dhe të nxisë polarizim ndërfetar.

Ekspertët e sigurisë dhe drejtësisë kërkojnë që institucionet të sqarojnë nëse dokumenti është autentik dhe çfarë vlere provuese ka. Ata theksojnë se, deri në një vendim gjyqësor, përmbajtja e dokumentit duhet të konsiderohet si pretendim dhe jo si fakt i provuar.

Top Channel