Kalimi në Lindjen e Mesme ishte menduar si një mundësi për t’u rikthyer protagonist, por aventura e Nedim Bajramit te Al-Taawoun në Arabinë Saudite ka marrë një goditje të papritur.

Mesfushori i talentuar i Kombëtares kuqezi nuk do të ketë mundësinë të luajë në kompeticionin e rëndësishëm “AFC Champions League Two”.

Shkaku nuk ka të bëjë me aftësitë e tij sportive, por me burokracitë dhe rregullat strikte financiare të vendit; Komiteti i Qëndrueshmërisë Financiare në Arabinë Saudite ka refuzuar kërkesën e klubit për federimin e tij.

Kjo ka ndodhur pasi Al-Taawoun nuk ka arritur të plotësojë të gjitha kushtet dhe kriteret e rrepta që kërkohen për regjistrimin e lojtarëve të rinj në këtë kompeticion. Bajrami, i cili u transferua këtë verë në formë huazimi nga skocezët e Rangers (për një shifër rreth 200 mijë euro) pikërisht për të pasur më shumë minuta në këmbët e tij, tani përballet me zhgënjimin e mbetjes jashtë arenës ndërkombëtare aziatike.

Situata bëhet edhe më shqetësuese nëse marrim parasysh se në fundjavë ai nuk u përfshi fare në listën e ekipit në përballjen e kampionatit kundër Al Nassr.

Top Channel