Plot 14 vite pritje! Rikthehet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar me rreth 220 filma

01/09/2026 13:14

Rreth 220 filma shqiptarë, të prodhuar nga viti 2012 deri më sot, do të shfaqen në kuadër të Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, i cili nis më 3 shtator në Tiranë dhe do të vijojë deri më 12 shtator.

Në program do të përfshihen filma të gjatë e të shkurtër, dokumentarë dhe animacione, duke sjellë për publikun një panoramë të prodhimit kinematografik shqiptar të viteve të fundit.

Drejtori artistik i festivalit, Ilir Butka, tha se eventi synon të rikthejë filmin shqiptar më pranë publikut, duke krijuar një hapësirë ku veprat e kineastëve vendas të mund të shihen dhe të vlerësohen nga audienca.

Një nga risitë e këtij edicioni është mënyra e ndarjes së çmimeve, e cila do të bazohet në tre sisteme vlerësimi: Juria Zyrtare, Akademia e Filmit dhe vota e publikut. Çdo regjisor do të përzgjedhë një film për konkurrimin zyrtar, ndërsa Akademia dhe publiku do të kenë mundësi të vlerësojnë të gjitha veprat konkurruese.

Festivali do të hapet me nderimin e figurave të rëndësishme të kinemasë shqiptare dhe ndarjen e çmimeve të karrierës për 15 personalitete të filmit. Më pas do të shfaqet filmi “Liqeni im”, me regji të Gjergj Xhuvanit.

Në program janë përfshirë edhe disa premiera për publikun shqiptar. Ndër to është “Burri i shtëpisë” i Andamion Muratajt, i cili do të shfaqet më 4 shtator në sallën e madhe të Universitetit të Arteve, pas premierës botërore në Festivalin e Sarajevës. Po ashtu do të shfaqen “Edeni i mohuar” i Genc Përmetit dhe dokumentari “Film di Stato” i Roland Sejkos.

Shfaqjet do të zhvillohen në katër ambiente: sallën e madhe dhe “Black Box” të Universitetit të Arteve, kinemanë “Agimi” dhe Piramidën.

Përtej filmave, gjatë dhjetë ditëve do të zhvillohen takime dhe aktivitete me regjisorë, skenaristë, aktorë, producentë dhe profesionistë të tjerë të kinematografisë, me synimin për të afruar më tej kineastët me publikun dhe për të nxitur diskutimin mbi kinemanë shqiptare.

Top Channel