Qëlloi për vdekje tre persona në një poligon në Mal të Zi, 30-vjeçari rus vret veten pas përplasjes me policinë Deputetë të PDK-së dhe AAK-së protestuan sërish përpara Qeverisë së Kosovës kundër moskonstituimit të Kuvendit.
Ata akuzuan Albin Kurtin për bllokadë institucionale dhe i kërkuan të thërrasë seancën parlamentare ose të shpallë zgjedhje të reja.
Deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës iu bashkuan këtë të martë aktivistë, këshilltarë komunalë dhe drejtues vendorë nga Vitia, Gjilani dhe Kamenica. Përfaqësuesit e opozitës protestuan përpara ndërtesës së Qeverisë, duke kërkuar konstituimin e Kuvendit dhe rikthimin e funksionimit normal të institucioneve.
“Sot shumica e institucioneve të Republikës së Kosovës janë me ushtrues detyre. Shteti është në një kolaps të thellë, janë bllokuar shumë marrëveshje ndërkombëtare dhe komunat janë përpara bankrotit financiar”, u shpreh Valmir Sahiti, drejtor i Kulturës në Viti.
Deputeti i PDK-së, Fadil Demaku, komentoi edhe marrëveshjen e arritur një ditë më parë ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për president. Sipas tij, kjo marrëveshje nuk e ndryshon qëndrimin e opozitës.
“As veprimi i djeshëm nuk ka bërë që të ndryshojë qëndrimi ynë, sepse edhe sot jemi jashtë kushtetutshmërisë. I bëjmë thirrje që, sa nuk është vonë, të kthehemi në kushtetutshmëri”, tha deputeti i PDK-së, Fadil Demaku.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, tha se pas marrëveshjes së arritur duhej të ishte thirrur menjëherë seanca për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve të reja.
“Albin Kurti, kthehu institucioneve, kthehu Kuvendit të Kosovës dhe konstituo Kuvendin. Në të kundërt, shpall zgjedhjet, me të cilat edhe ne pajtohemi”, u shpreh deputetja i AAK-së, Time Kadriaj.
Opozita paralajmëroi vijimin e protestave deri në zgjidhjen e bllokadës dhe rikthimin e vendimmarrjes institucionale.
Top Channel