Lëvizje surprizë nga Chelsea në orët e fundit të merkatos, kërkon mesfushorin e Arsenalit si zëvendësues të Enzo Fernandez

01/09/2026 14:50

Chelsea po përgatit një lëvizje të befasishme në orët e fundit të merkatos, teksa londinezët kanë futur në radar mesfushorin e Arsenalit, Martin Zubimendi.

“Blutë” po kërkojnë një zëvendësues për Enzo Fernandez, i cili është pranë transferimit te Manchester City, dhe emri i Zubimendit është shfaqur në listën e objektivave të klubit.

Sipas raportimeve, mesfushori spanjoll është një nga pesë alternativat që Chelsea po vlerëson për përforcimin e repartit të mesfushës. Krahas tij, klubi londinez po shqyrton edhe emra të tjerë, përfshirë Morgan Gibbs-White, Lucas Bergvall dhe Lamine Camara.

Megjithatë, një marrëveshje me Arsenalin duket shumë e vështirë. Martin Zubimendi konsiderohet një lojtar shumë i rëndësishëm në projektin e Mikel Artetës dhe trajneri i “Topçinjve” ka bërë të qartë se nuk dëshiron largimin e tij.

Zubimendi u transferua te Arsenali pas eksperiencës te Real Sociedad dhe pati një ndikim të madh në sezonin e kaluar, duke u kthyer në një nga figurat më të rëndësishme të skuadrës.

Chelsea ndërkohë po përpiqet të mbyllë një lëvizje të shpejtë përpara përfundimit të afatit kalimtar, pasi largimi i Enzo Fernandez ka detyruar drejtuesit të kërkojnë një tjetër emër me profil të lartë në mesfushë.

Top Channel