Sporti në Kosovë shkruan një tjetër moment historik teksa regjistron medaljen e dytë të artë në Lojërat Mesdhetare që po mbahen në Taranto. Meritën për këtë e ka Islam Selmani që triumfoi në disiplinën e karatesë në kategorinë e peshës deri në 60 kg.

Selmani ishte thjesht fantastik në paraqitjet e tij në këtë kompeticion duke i kaluar me sukses të gjitha pengesat deri në fitoren e medaljes së artë. Në çerekfinale Selmani mundi qipriotin Andreas duke u kualifikuar për në gjysmëfinale.

Në këtë fazë ai u përball me grekun Xenos duke e mposhtur edhe atë për të rezervuar duelin me turkun Burak Ozdemir për triumfin final. Edhe në këtë rast sportisti dardan ishte i jashtëzakonshëm duke e mundur kundërshtarin e tij dhe duke fituar kështu medaljen e artë.

Pas triumfit të Selmanit, Kosova shkon në kuotën e 7 medaljeve të fituara deri më sot në Lojërat Mesdhetare. Kujtojmë se në ditët e kaluara, Donjeta Sadiku ka fituar medaljen e artë në sportin e boksit, ndërsa Laura Fazliu ka fituar medalje të argjendtë, kurse Akil Gjakova, Flaka Loxha, Fatjona Kasapi dhe Shpati Zekaj kanë fituar medalje të bronzta.

Top Channel