55 mijë dollarë për çdo fëmijë deri në 17 vjeç/ Singapori lufton plakjen e popullsisë, bonus që në lindje dhe më shumë leje për prindërit

01/09/2026 12:44

Singapori do të ofroi një ndihmë financiare prej rreth 70 mijë dollarësh singaporianë, (55,048 dollarë amerikanë) për çdo fëmijë deri në moshën 17 vjeç, në përpjekje për të frenuar rënien e lindshmërisë dhe për të bindur më shumë çifte të krijojnë familje.

Kryeministri i Singaporit, Lawrence Wong, ka njoftuar një sërë masash të reja financiare dhe sociale, të cilat synojnë të ulin kostot e rritjes së fëmijëve dhe t’u japin prindërve më shumë mbështetje.

Ndihma nis që në lindjen e fëmijës me një mbështetej financiare prej 10 mijë dollarësh singaporianë, ndërsa parashikohen edhe dy pagesa të tjera prej 5 mijë dollarësh për shpenzime mjekësore dhe arsimore.

Sipas masave të reja, familjet do të përfitojnë gjithashtu 2 mijë dollarë singaporianë në formën e krediteve për fëmijët çdo vit nga mosha 1 deri në 16 vjeç. Qeveria ka vendosur gjithashtu të ulë tarifat e kopshteve të subvencionuara në 150 dollarë singaporianë në muaj dhe të zgjasë lejet prindërore. Megjithatë, pavarësisht ndihmës financiare, shumë çifte në Singapor vazhdojnë të jenë të pasigurt për të pasur fëmijë.

Një sondazh i publikuar këtë muaj nga YouGov tregoi se një në katër singaporianë nuk planifikon të ketë fëmijë. Shumë prej tyre përmendin koston e lartë të jetesës, përgjegjësitë që sjell prindërimi dhe ndikimin që një fëmijë mund të ketë në mënyrën e tyre të jetesës. Lee, një 34-vjeçar që punon në sektorin financiar, jeton me bashkëshorten dhe dy macet e tyre në pjesën lindore të Singaporit. Çifti nuk planifikon të ketë fëmijë, pasi shqetësohet për vështirësitë e rritjes së tyre dhe ndryshimet që do të sillte kjo në jetën e tyre.

“Jemi të lumtur me jetën që kemi tani, ndaj një fëmijë do ta komplikonte disi atë”, thotë ai, duke përmendur edhe kufizimet që do të sillte në udhëtime dhe daljet në restorante.

Singapori përballet me një nga nivelet më të ulëta të lindshmërisë në botë. Norma totale e fertilitetit ka rënë në vetëm 0.87 fëmijë për grua, shumë poshtë nivelit prej 2.1 që konsiderohet i nevojshëm për të zëvendësuar një brez me tjetrin.
Problemi nuk është vetëm social, por edhe ekonomik. Me më pak lindje, numri i të rinjve dhe i njerëzve në moshë pune zvogëlohet, ndërsa popullsia e moshuar rritet.

Singapori pritet të arrijë këtë vit statusin e një shoqërie “super të plakur”, që sipas përkufizimit të Kombeve të Bashkuara do të thotë se më shumë se 21% e popullsisë është mbi 65 vjeç. Masat e qeverisë kanë marrë reagime të ndryshme. Disa çifte që dëshirojnë të kenë fëmijë i shohin ato si një ndihmë të rëndësishme, veçanërisht për kujdesin ndaj fëmijëve. Iqbar Hisham, 27 vjeç, e cilëson koston e jetesës në Singapor si “jashtëzakonisht të lartë”, por thotë se mbështetja e re i ka dhënë asaj dhe të fejuarit shpresë për të krijuar familje në të ardhmen.

“Mbështetja më nxit të kem fëmijë sa më shpejt pasi të martohem”, thotë ajo, duke vlerësuar veçanërisht ndihmën për kujdesin ndaj fëmijëve.

Por paratë nuk janë problemi i vetëm. Presioni social, sistemi shumë konkurrues arsimor dhe oraret e ngarkuara të punës po ndikojnë gjithashtu në vendimin e shumë çifteve për të mos pasur fëmijë. Konkurrenca në arsim ka krijuar edhe një industri të madhe të mësimeve private, pasi prindërit përpiqen që fëmijët e tyre të jenë sa më të suksesshëm që në moshë të vogël.
Sociologia Teo You Yenn, autore e librit “Unease: Life in Singapore Families”, ka vënë në dukje se prindërit në Singapor janë shumë të përqendruar te aktivitetet dhe studimet shtesë të fëmijëve, që në moshën parashkollore.

Vetë kryeministri Wong ka pranuar se shumë singaporianë shqetësohen për të ardhmen që do të kenë fëmijët e tyre dhe nëse do të jenë në gjendje t’i ndihmojnë ata të kenë sukses. Për disa prindër, sfida kryesore nuk është vetëm financiare, por edhe koha. Lee thotë se ndihma ekonomike e qeverisë nuk është e mjaftueshme për ta bindur atë dhe bashkëshorten të kenë fëmijë.

“Do të na duhet të sakrifikojmë një pjesë të madhe të kohës për të rritur siç duhet një fëmijë. Kjo është diçka që nuk jemi në gjendje ta ofrojmë për momentin”, shprehet ai.

Ndërkohë, Shu Rong Teo, 41 vjeç, nënë e tre fëmijëve, thotë se për të pasur një familje dhe për të vazhduar njëkohësisht karrierën, ka pasur nevojë për ndihmën e një punonjëseje shtëpie dhe për të jetuar me vjehrrit.

“Përvoja jonë tregon se për të rritur një fëmijë duhet një komunitet i tërë dhe se mbështetja e familjes mbetet e domosdoshme për prindërit që punojnë”, thotë ajo.

Ajo e mirëpret paketën e re të masave, veçanërisht rritjen e lejes për kujdesin ndaj fëmijëve. Më parë, ajo kishte vetëm dy ditë leje për kujdesin ndaj fëmijëve dhe, për ditët e tjera, detyrohej të përdorte pushimet vjetore. Me ndryshimet e reja, ajo dhe bashkëshorti i saj do të kenë nga 12 ditë leje secili për t’u kujdesur për fëmijët.

Top Channel