Bradley Barcola është zyrtarisht lojtari më i ri i Liverpoolit. Pas disa javësh negociatash, largimi i francezit nga Paris Saint-Germain është bërë realitet, ndërsa ai tashmë ka zbarkuar në Anfield për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
Sipas raportimeve nga Anglia, Liverpooli do të paguajë 125 milionë euro plus 20 milionë euro të tjera në formën e bonuseve për sulmuesin francez 23-vjeçar. Kjo e bën transferimin e Barcolës operacionin më të shtrenjtë të kësaj merkatoje verore.
“Është një krenari e madhe të luaj për Liverpoolin. Jam shumë i lumtur”, deklaroi Barcola në kanalet zyrtare të klubit anglez.
“Kur mësova për interesimin e Liverpoolit për mua, nuk bëra pyetje. E dija se ishte një klub shumë i rëndësishëm për mua”, shtoi sulmuesi francez, i cili ka firmosur një kontratë afatgjatë me “The Reds”.
Barcola, përforcimi i radhës i projektit të Liverpoolit
Barcola kishte vendosur të mos rinovonte kontratën me PSG-në, pavarësisht se marrëveshja e tij me klubin francez skadonte në vitin 2028. Për këtë arsye, kampionët e Francës i hapën dyert për largimin, ndërsa lojtari kishte dhënë prej muajsh “OK”-in e tij për transferimin në Premier League.
Liverpooli vijon kështu politikën e investimeve të mëdha në merkato. Klubi anglez kishte shpenzuar më parë 145 milionë euro për Alexander Isakun dhe 125 milionë euro për Florian Ëirtz.
Barcola bëhet tashmë një tjetër afrim i madh për projektin e Liverpoolit, të drejtuar nga trajneri Andoni Iraola. Gjatë kësaj vere, skuadra angleze ka përforcuar gjithashtu repartin ofensiv me Víctor Muñoz.
Tashmë pritet të shihet se çfarë do të ndodhë me Cody Gakpo, i cili raportohet se është në radarët e Tottenhamit dhe Manchester Cityt.
Rekord edhe për PSG-në dhe Ligue 1
PSG-ja kishte paguar 45 milionë euro për ta transferuar Barcolën nga Olympique Lyon në vitin 2023. Vetëm tre vite më vonë, klubi parisien arkëton një shumë shumë më të madhe nga shitja e tij.
Transferimi i Barcolës përbën gjithashtu një rekord për një largim nga Ligue 1. Gjatë periudhës së tij në Paris, Barcola u shndërrua në një prej lojtarëve më të rëndësishëm të skuadrës. Në tri sezone me PSG-në, francezi zhvilloi 152 ndeshje, duke shënuar 39 gola dhe dhënë 35 asistime.
Në këtë periudhë, ai fitoi gjithashtu dy trofe të Champions League dhe plot 13 trofe me klubin parisien. Tani, sfida e radhës për Barcolën është Premier League, ku ai do të synojë të bëhet një prej yjeve kryesorë të Liverpoolit.
Top Channel