Sulmuesi i Vasco da Gamës, David Correa, i njohur me nofkën “DVD”, është përfshirë në një hetim policor që synon një grup të dyshuar për trafik droge dhe armësh, pastrim parash dhe lidhje me një organizatë kriminale me veprimtari në disa shtete të Brazilit.

Sipas mediave lokale, autoritetet braziliane kanë zhvilluar një operacion me disa kontrolle dhe bastisje, ku një prej tyre është kryer në banesën e futbollistit, ndërsa një tjetër në qendrën stërvitore të klubit të Vasco da Gamës në Rio de Janeiro.

Përveç David Correas, hetimi përfshin edhe persona të tjerë, mes të cilëve dyshohet se mund të ketë sportistë dhe biznesmenë të lidhur me aktivitetet e grupit kriminal.

Policia ka ekzekutuar gjithashtu urdhër-arreste dhe kontrolle në disa shtete të tjera braziliane, përfshirë Espírito Santo, Goiás, São Paulo dhe Distriktin Federal.

Klubi i Vasco da Gamës ka reaguar duke bërë të ditur se është në bashkëpunim të plotë me autoritetet.

“Klubi po ndjek situatën dhe do të presë përfundimin e hetimeve për të marrë çdo masë të nevojshme”, thuhet në reagimin e klubit.

Top Channel