Zbardhen kërcënimet e Nelson Hysës ndaj kampionit të Botës Kabayel, ndërhyn sigurimi për të shmangur grushtet
Pas triumfit në garën Sprint, Marc Marquez ka kompletuar një fundjavë perfekte duke dominuar edhe garën kryesore të Çmimit të Madh të Aragonit në MotoGP. Duke pilotuar motorin e tij Ducati, spanjolli tregoi një formë të jashtëzakonshme në pistën e “Motorland”, duke lënë pas tij Pedro Acosta-n me KTM dhe Marco Bezzecchi-n, i cili e nisi garën nga “pole position”.
Momenti vendimtar i garës erdhi në xhiron e gjashtë. Në fund të drejtëzës më të gjatë të qarkut, Marquez zhvilloi një duel shpejtësie fantastik dhe kaloi me sukses Bezzecchi-n, duke i hapur rrugën vetes drejt një fitoreje të padiskutueshme. Ky moment u shfrytëzua menjëherë edhe nga Pedro Acosta, i cili gjithashtu la pas italianin për të siguruar shkallën e dytë të podiumit.
Për Marquez, ky është suksesi i katërt në gjashtë garat e fundit, çka dëshmon formën e frikshme që “Kanibali” po kalon. Me këto pikë maksimale, ai parakalon pikërisht Bezzecchi-n në renditjen e përgjithshme, duke i rrëmbyer vendin e dytë me 5 pikë avantazh, dhe hidhet në sulm për të kapur liderin e kampionatit, Jorge Martin. Ky i fundit e mbylli garën i pesti, menjëherë pas shpinës së Alex Marquez.
Nga ana tjetër, ishte një tjetër fundjavë makthi për kampionin e botës në fuqi, Francesco Bagnaia. Piloti i Ducati Lenovo u detyrua ta mbyllë garën para kohe pas një rrëzimi që në çerekun e parë të saj, një përfundim i hidhur që thellon krizën e tij të rezultateve.
Lufta për kurorën e MotoGP po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme, me Marquez që ka ndezur motorët në momentin kritik të sezonit dhe tashmë paralajmëron të gjithë rivalët.
Top Channel