Mbi 220 mijë vizitorë në Kalanë e Gjirokastrës, 15 mijë më shumë se vitin e kaluar

30/08/2026 19:51

Mbi 220 mijë vizitorë kanë zgjedhur deri më tani Kalanë e Gjirokastrës, 15 mijë më shumë se një vit më parë.

Shifra e turistëve që kanë hyrë në një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit të gurtë tregon një rritje të interesit për Gjirokastrën edhe gjatë këtij sezoni turistik.

Pjesa më e madhe e vizitorëve janë turistë të huaj, të cilët e kanë përfshirë kalanë në itineraret e tyre gjatë qëndrimit në jug të Shqipërisë. Brenda mureve të saj, ata vizitojnë hapësirat historike, muzeun dhe koleksionet që dëshmojnë historinë e gjatë të qytetit, ndërsa nga lart shijojnë panoramën e Gjirokastrës dhe luginës së Drinos.

“Është hera jonë e parë në Shqipëri dhe jemi vërtet të impresionuar nga Gjirokastra. Kalaja është diçka e veçantë. Na pëlqeu shumë arkitektura, historia që përcjell dhe sidomos mënyra se si është ruajtur. Gjithçka duket shumë autentike dhe pamja nga kalaja është fantastike”, u shpreh një turist gjerman.

“Për ne kjo është hera e parë që vizitojmë Shqipërinë dhe Gjirokastrën. Kalaja na surprizoi shumë. Është shumë e bukur dhe duket e mirëmbajtur. Na pëlqen që mund të ecësh nëpër hapësirat e saj dhe të ndjesh historinë e vendit”, tha një tjetër turiste.

“Gjirokastra na ka pëlqyer shumë, por kalaja ishte padyshim një nga impresionet më të veçanta. Është një vend shumë i bukur, i ruajtur dhe i mirëmbajtur, ku mund të kuptosh më mirë historinë dhe kulturën e këtij qyteti”, tha turistja italiane.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, janë regjistruar rreth 15 mijë vizitorë më shumë, një tregues pozitiv për turizmin kulturor në qytet. Kalaja vijon të jetë një prej pikave kryesore të turizmit në Gjirokastër, ndërsa fluksi i vizitorëve pritet të vijojë edhe gjatë muajve të vjeshtës, kur qyteti i gurtë mbetet pjesë e itinerareve të turistëve që vizitojnë jugun e vendit.

Top Channel