Xi Jinping “zhduk” gjeneralët, bie edhe “vëllai i madh” i presidentit kinez

29/08/2026 15:03

Një tjetër figurë e fuqishme e ushtrisë kineze ka rënë në mesin e asaj që po përshkruhet si “valë spastrimesh” e presidentit Xi Jinping.

Shtatë muaj pas zhdukjes së tij nga skena publike, është formalizuar shkarkimi nga Komisioni Qendror Ushtarak i gjeneralit Zhang Youxia, i cili deri përpara disa kohësh konsiderohej si një nga njerëzit më të afërt të Xi-së.

76-vjeçari ishte gjenerali më i fuqishëm i Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe kishte një marrëdhënie personale shumë të afërt me presidentin kinez. Të dy ata njiheshin që në adoleshencë dhe, sipas burimeve, Xi Jinping e quante atë me respekt “vëllai i madh”.

Por në muajin janar, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Zhang dhe një tjetër gjeneral i lartë, Liu Zhenli, ishin vënë nën hetim për “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”. Tani të dy janë shkarkuar zyrtarisht nga postet e tyre, një hap ky që sipas analistëve i paraprin procesit gjyqësor dhe dënimit.

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2012, Xi Jinping ka eliminuar nga strukturat e ushtrisë të paktën 110 oficerë të lartë, rreth 60 prej tyre vetëm që nga viti 2024. Zyrtarisht, shumica akuzohen për korrupsion, por në rastin e Zhang dhe Liu akuzat duket se shkojnë përtej kësaj. Shtypi ushtarak kinez i akuzoi ata se kishin “dëmtuar rëndë autoritetin e presidentit” dhe kishin minuar besnikërinë e ushtrisë ndaj Partisë Komuniste, akuza që, në thelb, mund të interpretohen si tradhti e lartë.

Sipas disa analistëve amerikanë, Zhang Youxia mund të ketë kundërshtuar planet për përdorimin e forcës ndaj Tajvanit, duke vlerësuar se Kina nuk mund të përballonte një reagim ushtarak të SHBA-së. Largimi i tij e ka lënë Komisionin Qendror Ushtarak, që fillimisht përbëhej nga shtatë anëtarë, me vetëm dy persona: Xi Jinping dhe gjeneralin Zhang Shengmin, përgjegjës për luftën kundër korrupsionit.

Top Channel