Aleksandar Vuçiç pretendon se vendimi ndaj ish krerëve të UCK-së që po gjykohen në Hagë do të mjaft i butë për ta.
Duke cituar informacione për të cilat thotë se i kanë mbërritur nga shërbimet serbe të inteligjencës, kreu i shtetit serb u shpreh se aktgjykimi do të jetë i tillë që dënimi në fund të mbulohet me kohën e kaluar tashmë prej tyre në paraburgim, ndërsa, sipas tij, pjesa kryesore e akuzave që lidhen me krimet e supozuara ndaj serbëve, do të rrëzohet.
“Një lloj dënimi do të ketë, por jo për shkak të viktimave serbe. Do të jetë vetëm sa për të mbuluar kohën e paraburgimit. Dhe pastaj, përsa i takon krimeve më të rënda kundër serbëve, Hashim Thaçi do të shpallet i pafajshëm”, ka deklaruar ai.
Vuciç shtoi se një vendim i tillë do të përdorej nga Perëndimi për të përcjellë, sipas tij, mesazhin se serbët janë të vetmit përgjegjës për krimet e kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.
“Na presin ditë të vështira politike. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në krime kundër serbëve në territorin e ish-Jugosllavisë, ose janë liruar, ose janë dënuar formalisht dhe më pas janë liruar në shkallët e tjera të gjykimit”, ishte komenti i tij, të cilin e lidhi edhe me çështje të tjera të shqyrtuara nga Gjykata Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, duke përmendur ish-gjeneralin kroat Ante Gotovina dhe ish-komandantin boshnjak Naser Oric.
Presidenti serb u ankua se këto vendime dëshmojnë atë që ai e cilëson si një qasje “të njëanshme” ndaj gjykimit të krimeve të luftës.
Top Channel