Goditje për Armando Brojën, sulmuesit të Kombëtares i tregohet dera pas vendimit të fundit të klubit anglez
UEFA ka hapur një hetim pas një incidenti të dyshuar racist në ndeshjen mes Vikingut dhe Dinamo Zagrebit, ku në qendër të pretendimeve është sulmuesi shqiptar Arbër Hoxha.
Sipas raportimeve nga Kroacia dhe Norvegjia, mesfushori i Vikingut, Tobias Moi, dyshohet se ka denoncuar pranë UEFA-s një përplasje me Hoxhën gjatë ndeshjes së kthimit të fazës “play-off” të Champions League.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur në minutën e 57-të, ndërsa Moi dyshohet se ka pretenduar se futbollisti shqiptar ka përdorur një shprehje raciste gjatë përplasjes. Klubi norvegjez ka konfirmuar se Moi ka folur me përfaqësues të UEFA-s pas ndeshjes, ndërsa raportimet e pakonfirmuara identifikojnë Hoxhën si lojtarin e përfshirë në incident.
Megjithatë, bëhet fjalë për një akuzë që po hetohet nga UEFA dhe jo për një vendim përfundimtar ndaj futbollistit shqiptar.
Në planin sportiv, Hoxha ishte protagonist në sfidën e zhvilluar më 26 gusht në Norvegji. Sulmuesi kuqezi i dha avantazhin Dinamos së Zagrebit që në minutën e 10-të, duke shënuar me kokë pas një krosimi të Luka Stojkoviçit.
Vikingu përmbysi rezultatin dhe fitoi 3-1, me golat e Zlatko Tripiç nga pika e bardhë, Edvin Austbø dhe pikërisht Tobias Moi. Me rezultatin e përgjithshëm 5-3, skuadra norvegjeze siguroi kualifikimin, ndërsa Dinamo Zagrebi u eliminua nga gara për Champions League.
Top Channel