Mbappe nuk është dorëzuar, media spanjolle i jep shanse për fitimin e Topit të Artë: Tripleta në kampionat e futi sërish në garë

28/08/2026 22:35

Kylian Mbappé e ka nisur sezonin e ri në mënyrën më të mirë të mundshme, duke konfirmuar edhe një herë instinktin e tij për golin.

Sulmuesi francez realizoi tre herë ndaj Real Sociedad, duke marrë menjëherë vëmendjen në garën për çmimet individuale.

Pavarësisht se titujt më të rëndësishëm i kanë munguar deri tani, Mbappé vazhdon të synojë majat me Real Madridin dhe në planin personal. Sezonin e kaluar, ai shënoi 58 gola, 42 prej tyre me fanellën e Real Madridit në 44 ndeshje, ndërsa 16 të tjerë me kombëtaren franceze.

Këto shifra i dhanë atij edhe Këpucën e Artë të Botërorit të fundit, ndërsa paraqitja e tij në fillimin e këtij sezoni e rikthen në qendër të diskutimeve për Topin e Artë.

Në ambientin e Real Madridit, mesazhi duket se është i qartë: për të fituar trofe dhe për të synuar çmimet individuale, nevojitet një skuadër e bashkuar. Mbappé dhe pjesa tjetër e ekipit kanë krijuar një atmosferë më pozitive, ndërsa marrëdhëniet brenda grupit janë përmirësuar.

Francezi e di se performancat individuale nuk mjaftojnë dhe se rezultatet e Real Madridit do të jenë vendimtare në garën për Topin e Artë, shkruan AS. Me një garë pa një favorit absolut, çdo paraqitje dhe çdo trofe mund të ndikojë në vendimin përfundimtar.

Ceremonia e Topit të Artë do të zhvillohet më 27 tetor në Londër. Para kësaj date, lista e ngushtë me 30 kandidatët do të bëhet publike nga France Football.

Votimi bëhet nga 100 gazetarë nga vende të ndryshme të botës dhe nuk ekziston një kriter i vetëm që përcakton fituesin. Trofetë me klubin apo kombëtaren, paraqitjet individuale dhe forma e treguar gjatë sezonit janë të gjithë faktorë që mund të ndikojnë.

Për Mbappén, objektivi është i qartë: të vazhdojë të shënojë, të ndihmojë Real Madridin të fitojë trofe dhe të ndërtojë një kandidaturë sa më të fortë për çmimin prestigjioz individual.

Top Channel