Ngushtica e Hormuzit në flakë/ Goditet një tjetër cisternë nga një “predhë e panjohur”, zjarr në anije

27/08/2026 07:31

Një anije cisternë është goditur nga një “predhë e panjohur” në Ngushticën e Hormuzit, duke shkaktuar zjarr në bord.

Incidenti është konfirmuar të enjten herët nga Zyra Britanike e Informacionit për Sigurinë Detare (UKMTO), pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas UKMTO-së, zjarri në anije tashmë është shuar, ndërsa i gjithë ekuipazhi është i sigurt. Autoritetet kanë bërë të ditur gjithashtu se nuk është raportuar ndonjë ndikim në mjedis.


Sulmi vjen vetëm një ditë pas një incidenti të ngjashëm, të regjistruar të mërkurën, duke shtuar shqetësimet për sigurinë e lundrimit në një prej rrugëve detare më të rëndësishme në botë.

Deri tani nuk janë bërë të ditura detaje për flamurin nën të cilin lundronte cisterna, nëse transportonte ngarkesë apo cili ishte destinacioni i saj.

Ngushtica e Hormuzit është kthyer në një zonë të tensionuar që prej shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, pas sulmit SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Pas nisjes së konfliktit, Irani njoftoi se po mbyllte Ngushticën e Hormuzit, ndërsa Shtetet e Bashkuara vendosën një bllokadë ndaj porteve iraniane në Gjirin Persik.

Ngjarja e fundit pritet të shtojë shqetësimet për sigurinë e anijeve tregtare dhe transportit të energjisë përmes kësaj zone strategjike.

Top Channel