Mbi shtatë dekada pas rënies së fashizmit, kurrë më shumë se sot hidra nuk e ka ngritur kokën. Slogane të përsëritura me vite, si të ishin barcaleta, që deri pak më parë dukeshin të padëmshme e qesharake, po përhapen gjithnjë e më shumë në Itali.
Në librin e tij të fundit, të përkthyer në shqip nga Kujtim Ymeri, studiuesi Francesco Filippi analizon idiotësirat që vazhdojnë të qarkullojnë për fashizmin.
Këtë autori e bën duke pasur synim publikun e gjerë, duke na dhënë një mënyrë të thjeshtëzuar të së shkuarës problematike të Shqipërisë, thotë studiuesi Edon Qesari.
“Është një libër që sjell një shembull të mirë se si një kolektivitet krijon marrëdhënie me të shkuarën e afërt. Të shohë pas kaq debatesh, cili është ndikimi i kësaj të shkuare tek e sotmja”, thotë studiuesi Edon Qesari.
Libri i Filippit na tregon se sistemet totalitare, pavarësisht ngjyrimeve politike, kanë ngjashmëri të mëdha, aq sa duket i njëjti fenomen social si në shoqërinë tonë shqiptare, ku mitet vijojnë ende sot, veçanërisht në rrjetet sociale.
“Ka lidhje me një boshllëk, që është dija për të shkuarën, e cila e ka shumë të vështirë të shpërndahet në mënyrë objektive te publiku i gjerë. Libra të tillë shërbejnë për të korrigjuar këtë problem”, shprehet studiuesi Edon Qesari.
Shtrembërimet më të mëdha lidhen me marrëdhënien e shoqërisë me sistemin totalitar dhe mashtrimet e përhapura me shprehje si ‘ishim më mirë atëherë’, apo ‘ai ka bërë dhe gjëra të mira’, shkaktojnë efektin klasik të mallit për një të kaluar vetëm të përfytyruar, thekson në veprën e tij Filippi. Për Qesarin, edhe vendi ynë ka nevojë për botime të tilla që analizojnë me ftohtësi të shkuarën diktatoriale.
“Trajtesat e ndërlikuara të së shkuarës, shpeshherë në ambientin shqiptar, bien ose në dorë të specialistëve teknikë, por që mbase nuk janë mësuar që t’i flasin një publiku të gjerë, ose e përcjellin në mënyrë shumë të banalizuar. Kjo bën që mesazhi të jetë lehtësisht i tjetërsueshëm. Dhe pastaj, sikurse thotë Umberto Eco, ‘e kanë shumë të lehtë që legjionarë budallenj t’i transformojnë në legjionarë dijetarësh’. Kjo e bën të rëndësishme për intelektualët e vërtetë, jo për sharlatanët, që të hedhin një vështrim te këto metoda të reja të divulgimit”, thekson studiuesi Edon Qesari.
Një gënjeshtër e përsëritur shumë herë, rrezikon të njihet si e vërtetë nga të gjithë dhe, për t’iu kundërvënë këtij rreziku, nevojitet forca e studimeve serioze dhe racionale.
Top Channel