Pas shortit të Champions League, Marotta: Inter ka të drejtë të ëndërrojë dhe shpesh ëndrrat bëhen realitet
Interi i drejtuar nga Cristian Chivu ka mësuar kundërshtarët që do të ketë në fazën e ligës së Champions League 2026/27, me shortin që i ka rezervuar një kalendar të vështirë dhe disa përballje spektakolare.
Zikaltrit do të luajnë tetë ndeshje ndaj kundërshtarëve të ndryshëm, katër në shtëpi dhe katër në transfertë.
Kundërshtarët e Interit:
Liverpool – në shtëpi
Real Madrid – në transfertë
Club Brugge – në shtëpi
Borussia Dortmund – në transfertë
Shakhtar Donetsk – në shtëpi
Feyenoord – në transfertë
Stuttgart – në shtëpi
Slovan Bratislava – në transfertë
Në mesin e sfidave më të shumëpritura është padyshim ajo ndaj Real Madridit në Santiago Bernabeu. Interi do të ribashkohet në këtë transfertë me ish-trajnerin e tij José Mourinho, ndërsa në fushë do të jetë edhe ish-lojtari i Nerazzurrëve, Denzel Dumfries.
Një tjetër përballje speciale do të jetë ajo me Liverpoolin, ku mesfushori i ri i Interit, Curtis Jones, do të përballet menjëherë me ish-klubin e tij.
Përballja sjell kujtime nga sezoni i kaluar, kur Jones kishte spikatur në një ndeshje ndaj Interit. Performanca e tij në mesfushë kishte impresionuar edhe Chivun, i cili më pas e kishte vendosur anglezin ndër objektivat kryesorë të merkatos.
Interi do të udhëtojë gjithashtu në Gjermani për t’u përballur me Borussia Dortmund, një duel që rikthen në vëmendje ndeshjen e sezonit të kaluar.
Zikaltrit triumfuan në Westfalenstadion, falë një goditjeje të shkëlqyer dënimi nga Federico Dimarco dhe një goli të Andy Diouf.
Ndërkohë, Aleks Stankovic do të ketë një përballje të veçantë me Club Brugge. Djali i ish-futbollistit të njohur do të rikthehet përballë klubit belg ku spikati sezonin e kaluar, duke fituar kampionatin dhe duke u shpallur lojtari më i mirë.
Interi nuk ka një bilanc pozitiv në përballjet e fundit me Real Madridin. Zikaltrit kanë fituar vetëm një nga shtatë ndeshjet e fundit ndaj spanjollëve në të gjitha kompeticionet. Fitorja e fundit daton në nëntor 1998, me rezultatin 3-1. Në gjashtë takimet e tjera Interi ka pësuar humbje, ndërsa nuk ka shënuar në tri përballjet e fundit.
Edhe ndaj Shakhtar Donetsk, Interi ka pasur vështirësi për të marrë fitore. Edhe pse zikaltrit nuk kanë pësuar gol në katër përballjet e mëparshme në Champions League ndaj ukrainasve, kanë arritur vetëm një fitore, ndërsa tri ndeshje janë mbyllur në barazim.
Përballja me Stuttgartin do të jetë një duel i veçantë, pasi Interi dhe klubi gjerman nuk janë përballur më parë në një kompeticion europian.
Megjithatë, zikaltrit kanë një bilanc pozitiv në ndeshjet e fundit në shtëpi ndaj skuadrave gjermane. Interi ka humbur vetëm një nga pesë takimet e fundit në shtëpi kundër ekipeve nga Gjermania, duke regjistruar dy fitore dhe dy barazime.
Kalendari i Interit premton kështu një fazë të parë tepër interesante, me sfida ndaj disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit europian dhe disa përballje që do të kenë edhe një ngarkesë të veçantë emocionale.
Top Channel