Grabitje spektakolare në Spanjë, zhduket një nga thesaret më të rëndësishme të Epokës së Bronzit në Evropë

27/08/2026 12:26

Një nga thesaret më të rëndësishme arkeologjike të Epokës së Bronzit në Evropë është vjedhur në orët e para të së enjtes nga muzeu i qytetit të Villenës, në provincën e Alikantes, në Spanjë.

Bëhet fjalë për Thesarin e Villenës (Tesoro de Villena), një koleksion arkeologjik rreth 3 mijë vjet i vjetër, i përbërë kryesisht nga objekte të çmuara prej ari, argjendi, hekuri dhe qelibari.

Sipas burimeve komunale të cituara nga agjencia spanjolle EFE, në vendngjarje kanë nisur hetimet Guardia Civil dhe Policia Gjyqësore, të cilat po përpiqen të përcaktojnë rrethanat e sakta të grabitjes dhe objektet që janë marrë.

Alarmi i muzeut u aktivizua në orën 05:16 të mëngjesit, por autoritetet ende nuk kanë përcaktuar plotësisht përmasat e vjedhjes dhe nëse i gjithë thesari apo vetëm një pjesë e tij është grabitur.

Thesari i Villenës daton rreth vitit 1000 p.e.s. dhe konsiderohet një prej koleksioneve më të rëndësishme metalurgjike të kësaj periudhe në Evropë.

Koleksioni përbëhet nga 59 objekte, me një peshë totale prej gati 10 kilogramësh. Mes tyre ndodhen 11 gota, 28 byzylykë dhe tre vazo, ndërsa pjesë e thesarit janë edhe objekte prej argjendi, qelibari, hekuri dhe ari.

Vlera e tij nuk lidhet vetëm me materialet e çmuara, por mbi të gjitha me rëndësinë historike dhe arkeologjike që mbart. Për këtë arsye, thesari konsiderohet i paçmueshëm për trashëgiminë kulturore evropiane.

Zbulimi spektakolar që ndryshoi historinë arkeologjike të rajonit

Historia e Thesarit të Villenës nisi në vjeshtën e vitit 1963, në rrethana që ngjajnë me një skenar filmi.

Në tetor të atij viti, në tokën e transportuar nga Rambla del Panadero, në Sierra del Morón de Villena, u gjet një byzylyk. Fillimisht, punëtorët menduan se bëhej fjalë për një pjesë të një motori kamioni.
Shefi i projektit, Ángel Tomás, e la objektin në një vend të dukshëm, me shpresën se pronari do të vinte ta kërkonte. Ai besonte se kishte gjetur një kushinetë kamioni.

Por objekti përfundoi në duart e argjendarit vendas Carlos Miguel Escobre, i cili kuptoi se gjetja mund të kishte një rëndësi shumë më të madhe. Ai kontaktoi José María Soler, në atë kohë drejtor i Muzeut Arkeologjik Bashkiak.
Ekzaminimi i byzylykut çoi në nisjen e kërkimeve arkeologjike në Rambla del Panadero. Pas disa ditësh gërmime, më 1 dhjetor 1963, Soler dhe kolegët e tij bënë zbulimin e jashtëzakonshëm. Brenda një vazoje të fshehur në shtratin e përroit u gjet thesari, i cili do të bëhej një nga zbulimet më të rëndësishme të Epokës së Bronzit në Evropë. Më shumë se gjashtë dekada pas zbulimit të tij, thesari është tashmë në qendër të një hetimi policor, ndërsa autoritetet spanjolle po përpiqen të zbardhin grabitjen dhe të përcaktojnë se çfarë është marrë nga muzeu.

Top Channel