Misteri i vizitës së shefit të CIA-s në Moskë, zëdhënësi i Kremlinit: Nuk u takua me Putin, pati komunikime për shërbimet e sigurisë
Djali i madh i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, Yair Netanyahu, dyshohet se ishte vënë në shënjestër të një komploti iranian për vrasje ndërsa ndodhej në Florida, sipas medias amerikane Newsmax, e cila citon një burim në agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.
Zbulimi vjen pak ditë pasi vetë Netanyahu deklaroi se Irani kishte tentuar të vriste një prej djemve të tij, pa specifikuar nëse bëhej fjalë për Yair apo Avner.
“Ka diçka këtu që është e pabesueshme. Irani ka shënjestruar një nga djemtë e mi. Irani u përpoq ta vriste atë”, deklaroi kryeministri izraelit gjatë një interviste për Kanalin 14.
Sipas burimit të cituar nga Newsmax, objektivi ishte Yair Netanyahu, 35 vjeç, i cili kishte jetuar në zonën e Hallandale Beach, pranë Miamit.
Burimi tha se inteligjenca izraelite ishte informuar që në dhjetor për një komplot të dyshuar iranian ndaj Yairit në Florida dhe se informacioni iu përcoll autoriteteve amerikane. Sipas të njëjtit burim, dyshohej se agjentë iranianë ndodheshin tashmë në zonën e Miamit dhe kishin monitoruar vendbanimin dhe lëvizjet e djalit të kryeministrit.
Yair Netanyahu, i cili shoqërohet nga një ekip sigurie izraelite, u urdhërua të largohej menjëherë nga zona ku qëndronte. Raportohet se ai u largua pa marrë me vete as sendet personale dhe u kthye në Izrael, ku ka qëndruar që atëherë.
Sipas Kanalit 12 të Izraelit, komploti ishte i njohur prej muajsh në disa media, por publikimi i tij ishte penguar më herët nga censura ushtarake.
Yair është djali i madh i Benjamin Netanyahut, ndërsa vëllai i tij Avner jeton në Izrael. Yair ka kaluar një pjesë të madhe të kohës në zonën e Miamit dhe është shfaqur si një zë i fortë politik konservator dhe mbështetës i babait të tij.
Netanyahu e ka përdorur rastin për të mbrojtur masat e sigurisë që u ofrohen familjarëve të tij.
“Kjo është arsyeja pse kjo siguri nuk është luks”, tha kryeministri izraelit, duke paralajmëruar se pa mbrojtjen e duhur, personat që synojnë familjen e tij mund të kenë sukses.
Në korrik, Izraeli zgjati masat e mbrojtjes së Shin Bet për bashkëshorten e Netanyahut, Sara, dhe dy djemtë e tij, Yair dhe Avner. Sipas vendimit, ata pritet të vazhdojnë të kenë mbrojtje për pesë vjet, edhe nëse Netanyahu largohet nga posti i kryeministrit.
Rasti i dyshuar në Florida shihet si pjesë e një serie kërcënimesh dhe komplotesh për vrasje që autoritetet amerikane ia kanë atribuar Iranit.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka akuzuar më parë persona të lidhur me Iranin për plane ndaj zyrtarëve amerikanë. Në vitin 2024, prokurorët federalë akuzuan Farhad Shakeri, i cili dyshohet se vepronte në emër të Iranit, për një komplot për vrasjen e Donald Trump.
Në një tjetër rast, në vitin 2022, autoritetet amerikane akuzuan anëtarin e Gardës Revolucionare iraniane Shahram Pourshafi për një përpjekje të dyshuar për të organizuar vrasjen e ish-këshilltarit amerikan për Sigurinë Kombëtare, John Bolton. Sipas prokurorëve, ai kishte ofruar 300 mijë dollarë për vrasjen e Boltonit.
Edhe ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, është përmendur ndër personat që dyshohet se kanë qenë objektiv i kërcënimeve iraniane.
Ndërkohë, tensionet janë shtrirë edhe te familja e presidentit amerikan Donald Trump. Këtë javë, televizioni shtetëror iranian transmetoi një material kërcënues që përmendte djalin 20-vjeçar të presidentit, Barron Trump.
Programi, i transmetuar nga Kanali 3 i Iranit, kishte titullin kërcënues “Ku dhe si duhet ta vrasim Barron Trump?”. Në emision pretendohej se lëvizjet e djalit të presidentit ishin monitoruar dhe u shfaqën informacione që lidhen me universitetin, automjetet dhe masat e sigurisë së tij.
Shërbimi Sekret amerikan konfirmoi se ishte në dijeni të videos dhe deklaroi se po hetonte kërcënimet ndaj personave që mbron, pa dhënë detaje mbi masat e sigurisë.
Mediat iraniane kanë publikuar edhe më herët materiale kërcënuese ndaj familjes Trump. Muajin e kaluar, në Sheshin Palestinë të Teheranit u shfaqën postera me sloganin “Gjak për Gjak”, ku paraqiteshin Donald Trump dhe anëtarë të familjes së tij.
Top Channel