Përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut shkatërrojnë fshatra në Nepal, dhjetëra persona të zhdukur

26/08/2026 11:18

Përmbytje masive dhe rrëshqitje dheu kanë goditur zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit, duke shkaktuar dëme të mëdha në fshatra, rrugë dhe infrastrukturë. Autoritetet kanë nisur operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa ekziston frika për viktima të shumta.

Përmbytjet goditën herët të mërkurën distriktin Rasuwa, në veri të kryeqytetit Katmandu. Sipas raportimeve paraprake, shkak mund të ketë qenë shkrirja e madhe e borës në lumin Bhote Koshi, i cili rrjedh nga Tibeti drejt Nepalit. Deri tani janë shpëtuar 12 persona, ndërsa operacionet e kërkimit vijojnë në të dyja anët e kufirit.

Situata mbetet veçanërisht shqetësuese në Nepal. Autoritetet raportojnë se 13 oficerë të forcës së armatosur të policisë rezultojnë të zhdukur nga dy poste në distriktin Rasuwa, ndërsa kontakti është humbur edhe me dhjetëra efektivë të tjerë.

Përmbytjet kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën. Rrugët, komunikimet dhe furnizimi me energji elektrike janë ndërprerë, ndërsa rruga kryesore që lidh zonën me Katmandun është mbyllur.

Kryeministri nepalez Balendra Shah zhvilloi një takim urgjent për situatën dhe njoftoi se ekipet mjekësore, skautët dhe Kryqi i Kuq janë angazhuar në përballimin e emergjencës.

Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve pranë lumenjve që të qëndrojnë në gatishmëri dhe të marrin masa për sigurinë e tyre.

Rasuwa ishte përballur edhe vitin e kaluar me një përmbytje vdekjeprurëse, ku humbën jetën 18 persona. Zyrtarët thonë se katastrofa e së mërkurës mund të jetë edhe më e rëndë se ajo e vitit të kaluar.

Top Channel