Arrihet marrëveshja e radhës, Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë nga 10 të burgosur lufte
Nga fjalët në vepra: Kanadaja njoftoi se do t`i kundërpërgjigjet tarifave të Donald Trumpit mbi importet e saj me taksa hakmarrëse deri në 50% ndaj një serie produktesh amerikane.
Në këtë pikë, duket se nuk ka më kthim prapa për dy vendet mike, të ngërthyera në një mosmarrëveshje të ashpër tregtare. Tarifat kanadeze do të prekin produkte amerikane me vlerë rreth 28 miliardë dollarë kanadezë, ose afërsisht 20 miliardë dollarë amerikanë.
Lista përfshin produkte të ndryshme, nga çeliku dhe mobiliet deri te toni i freskët dhe bluzat prej pambuku. Zyrtarët kanadezë thanë se lista e produkteve të prekura është hartuar në mënyrë që të përputhet me mallrat kanadeze ndaj të cilave SHBA-ja ka vendosur tarifa.
Masat e reja pritet të hyjnë në fuqi më 8 shtator. Ky është përshkallëzimi i fundit i konfliktit tregtar mes dy vendeve, pasi negociatat SHBA-Kanada dështuan në fund të javës së kaluar. Të dyja palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën se kanë paraqitur kërkesa të papranueshme në momentet e fundit të bisedimeve.
Qeveria kanadeze ka njoftuar gjithashtu se do të vërë në dispozicion 7.5 miliardë dollarë kanadezë shtesë për programe mbështetëse për bizneset dhe punëtorët e prekur nga tarifat amerikane. Sipas qeverisë, fondet synojnë të kufizojnë humbjet e vendeve të punës dhe të ndihmojnë kompanitë që të përballojnë pasojat e konfliktit tregtar.
Vendosja e tarifave ndaj tregtisë mes SHBA-së dhe Kanadasë, dy prej partnerëve tradicionalisht më të afërt ekonomikë në botë, pritet të shkaktojë pasoja në të dyja anët e kufirit. Zinxhirët e furnizimit, të ndërtuar gjatë dekadave, mund të përballen me kosto më të larta tregtare si pasojë e tarifave të reja të vendosura nga të dyja palët.
Këto kosto mund të përfshihen në çmimet e produkteve dhe të prekin si bizneset e mëdha dhe të vogla, ashtu edhe konsumatorët.
Top Channel