Netanyahu përjashton paqen me Iranin: Nuk mund të arrihet marrëveshje me këta njerëz të egër

26/08/2026 15:23

Benjamin Netanyahu thotë se nuk beson te një marrëveshje diplomatike me Iranin.

Kryeministri izraelit mbështeti fushatën e re të presionit ekonomik të Presidentit Donald Trump, duke deklaruar se ajo duhet të godasë jo vetëm Teheranin, por edhe ata që ndihmojnë regjimin iranian. Duke rikujtuar takimin e fundit me Trump, Netanyahu tha se ishte diskutuar edhe mundësia e diplomacisë. Por gjatë një aktiviteti në Jerusalem, ai përdori tone të ashpra ndaj udhëheqjes iraniane dhe përjashtoi arritjen e një marrëveshjeje.

 “I thashë Trumpit: Sigurisht, ekziston mundësia për të arritur një marrëveshje, një marrëveshje të mirë. Ne nuk kemi asnjë kundërshtim. Megjithatë, dyshoj se mund të arrihet një marrëveshje me atë grup atje, me ata të egër. Po ju them: një marrëveshje nuk mund të arrihet”, tha Netanyahu

Netanyahu ka qenë prej kohësh kundërshtar i diplomacisë me Iranin dhe i marrëveshjes bërthamore të vitit 2015. Ai e cilësoi presionin ekonomik të Trump si një “opsion të tretë”, krahas diplomacisë dhe luftës.

Presidenti amerikan shpalli të hënën një ofensivë të re ekonomike ndaj Iranit. Megjithëse mori pjesë në sulmin e përbashkët amerikano-izraelit të shkurtit, Trump pranoi armëpushimin në prill dhe vazhdon të shmangë rikthimin në një luftë të plotë.

 

 

Top Channel