Masat ekonomike të SHBA-së, Netanyahu: Po forcohet rrethimi ndaj Iranit

26/08/2026 13:58

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka vlerësuar masat e fundit ekonomike të SHBA-së ndaj Iranit, duke thënë se ato forcojnë presionin ndaj Teheranit duke synuar vendet dhe kompanitë që bëjnë biznes me regjimin iranian.

Në një fjalim në Këshillin Rajonal Binyamin në Bregun Perëndimor, Netanyahu tha se administrata e Donald Trump nuk ndërmori këtë herë hapa të drejtpërdrejtë kundër Iranit, por zgjodhi të godasë ekonomikisht ata që e ndihmojnë. “Ajo që bëri Presidenti Trump ishte shtrëngimi i rrethimit ndaj Iranit”, deklaroi Netanyahu, duke e cilësuar masën si një zhvillim të rëndësishëm.

Netanyahu tha se gjatë vizitës së tij të fundit në Uashington i kishte paraqitur Trumpit tre mundësi për përballjen me Iranin: një marrëveshje, një fushatë të re ushtarake ose rritjen e presionit ekonomik.

Sipas tij, presidenti amerikan ka zgjedhur rrugën e presionit ekonomik dhe e ka riafirmuar këtë qëndrim me masat e fundit.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, paralajmëroi sanksione të reja ndaj vendeve që refuzojnë të ndërpresin lidhjet ekonomike me Iranin.

Netanyahu deklaroi se “sfida e Iranit nuk ka mbaruar ende” dhe se ai mbetet i vendosur të sigurojë që Teherani të mos përbëjë kërcënim për Izraelin.

Top Channel