I komentoi hundën, kryeministrja e Danimarkës i përgjigjet kirurgut plastik: Jam e lumtur me trupin tim

26/08/2026 10:43

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka reaguar publikisht pas një mesazhi të marrë nga një kirurg plastik, i cili i sugjeroi të ndërhynte për të “rregulluar” një shenjë të vogël në hundën e saj.

Frederiksen, 48 vjeçe, publikoi në Instagram një pamje të bisedës dhe iu përgjigj drejtpërdrejt mjekut. “Oh jo. Jam e lumtur me trupin tim”, shkroi ajo.

Kryeministrja daneze tha se nuk është hera e parë që përballet me komente për pamjen e saj. Sipas saj, ndër vite ka marrë mesazhe për dhëmbët, flokët dhe një shenjë në hundë, ndërsa disa persona i kanë sugjeruar edhe përdorimin e Botox-it. “Kam humbur numërimin se sa mesazhe kam marrë gjatë viteve në lidhje me pamjen time”, shkroi Frederiksen.

Ajo theksoi se është plotësisht e kënaqur me trupin e saj dhe se të qenit një grua në jetën publike shpesh nënkupton përballjen me komente dhe kritika për pamjen. “Jam absolutisht mirë me trupin tim, siç është kur je një grua që i afrohet të 50-ave”, u shpreh ajo.

Frederiksen tha se është gjithmonë e hapur për të komunikuar me qytetarët për çështje të ndryshme, por do të preferonte që diskutimet të përqendroheshin te tema më të rëndësishme. “Nëse do të më shkruash, dhe je më se i mirëpritur ta bësh, shpresoj se do ta përdorësh kohën tënde për të folur për diçka më të rëndësishme. Jo për hundën time”, shkroi ajo.

Në fund, kryeministrja daneze iu drejtua edhe grave që përballen çdo ditë me komente për pamjen e tyre, duke u dërguar një mesazh mbështetjeje. “Sot ju dërgoj një mendim të veçantë dashurie të gjithëve ju që duhet të duroni ‘papërsosmëritë perfekte’ me të cilat përballemi çdo ditë”, përfundoi Frederiksen.

Top Channel