Barcelona zhvillon mbledhje urgjente për merkaton, Laporta dhe drejtorët vendosin për transferimet e ditëve të fundit. Vëmendja tek Alvarez

26/08/2026 08:09

Me vetëm një javë nga mbyllja e merkatos, drejtuesit kryesorë të FC Barcelona, me presidentin Joan Laporta në krye, zhvilluan një takim në “Ciutat Esportiva de Sant Joan Despí” për të diskutuar lëvizjet e fundit të klubit.

Në fokus ishte veçanërisht transferimi i një sulmuesi qendror, me objektivin kryesor që mbetet argjentinasi Julián Álvarez. Në takim morën pjesë Laporta, Deco, Hansi Flick, Bojan dhe Alejandro Echevarría, të cilët diskutuan gjithashtu për largimet e mundshme nga skuadra.

Pavarësisht qëndrimit të fortë të Atlético Madridit, që deri tani ka refuzuar mundësinë e shitjes së sulmuesit te Barcelona, klubi katalanas synon të shfrytëzojë deri në fund mundësitë për ta transferuar atë.

Në Barcelona janë të vetëdijshëm se Álvarez po përpiqet maksimalisht për të realizuar dëshirën e tij për të veshur fanellën blaugrana dhe klubi nuk dëshiron ta braktisë këtë objektiv.

Barcelona kishte paraqitur një ofertë prej 100 milionë eurosh në fund të qershorit, por Atlético nuk ka ndryshuar qëndrim.

Nëse transferimi nuk realizohet këtë verë, drejtuesit e Barcelonës nuk planifikojnë të marrin një alternativë tjetër në vend të Álvarez. Klubi mund të rikthehet në tentativë për sulmuesin argjentinas në merkaton e janarit.

Álvarez konsiderohet një kërkesë e drejtpërdrejtë e trajnerit Hansi Flick dhe drejtorit sportiv Deco, ndaj Barcelona synon t’i provojë të gjitha mundësitë deri në fund.

Sa i përket largimeve, Casadó dhe Font e kanë të qartë se do të largohen nga Barcelona dhe aktualisht po vlerësojnë ofertat që kanë marrë.

Ndërkohë, situata e Alejandro Baldes është ndryshe. Mbrojtësi i majtë pritet të qëndrojë në skuadër dhe të luftojë për një vend titullari.

Pavarësisht se Flick e la jashtë skuadrës në ndeshjen e fundit dhe aktivizoi Espart në pozicionin e tij, vendimi për të ardhmen e Baldes do t’i takojë vetë lojtarit.

Barcelona do ta lejojë largimin e tij vetëm nëse Balde kërkon të largohet dhe sjell një ofertë konkrete.

Top Channel