Dinamo është gati për sfidën vendimtare ndaj Pafosit në transfertë, në ndeshjen e kthimit të play-off-it të Ligës së Konferencës.

Takimi do të luhet të enjten në orën 19:00, ndërsa përballja e parë në Shqipëri përfundoi në barazim 1-1.

Blutë do të kërkojnë të marrin maksimumin në Qipro për të siguruar një tjetër hap të rëndësishëm në aventurën europiane. Përballë do të kenë një Pafos që ka bërë një lëvizje të rëndësishme në merkato pak para sfidës me skuadrën shqiptare.

Klubi qipriot ka zyrtarizuar afrimin e Joram Zague, mbrojtësit të djathtë të Paris Saint-Germain. 19-vjeçari vjen në formë huazimi për një sezon, me marrëveshjen që përfshin edhe opsionin e blerjes në fund të sezonit 2026/27.

Zague është produkt i akademisë së PSG-së dhe ka qenë pjesë e skuadrës franceze, e cila së fundmi ka fituar trofeun e Champions League. Afrimi i tij shihet si një përforcim për Pafosin përpara ndeshjes së rëndësishme me Dinamon.

Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur pas barazimit 1-1 në takimin e parë dhe Dinamo do të udhëtojë në Qipro me objektivin e qartë për të siguruar kualifikimin.

Top Channel