Alvarez rebeli i radhës/ Kush janë lojtarët që bënë “çmenduri” për tu transferuar te Barcelona, një pjesë e tyre rezultuan dështime

25/08/2026 09:46

Marrëdhënia mes sulmuesit argjentinas dhe klubit madrilen duket gjithnjë e më e vështirë për t’u rikthyer në normalitet. Historia tregon se lojtarë të tjerë kanë përdorur të njëjtën strategji për të realizuar transferimin te Barcelona.

Marrëdhënia mes Julian Alvarez dhe Atletico Madrid duket se ka arritur në një pikë ku rikthimi në normalitet është shumë i vështirë.

Reagimi i tifozëve dhe vetë klubit madrilen në ndeshjen e parë të sezonit në “Metropolitano” e bëri edhe më të dukshme përplasjen. Vërshëllimat ndaj sulmuesit argjentinas dhe kërkesa e klubit që ai të mos përshëndeste tifozët pas ndeshjes e thelluan edhe më shumë çarjen mes palëve.

Në qendër të gjithë kësaj historie është dëshira e Álvarez për t’u transferuar te Barcelona. “Më e mira për të gjithë është një transferim, dua të realizoj ëndrrën time”, kishte deklaruar sulmuesi argjentinas pas ndeshjes Argjentinë-Austri në fazën e grupeve të Kupës së Botës.

Këto fjalë ndezën një përplasje në tre drejtime mes Atlético Madrid, Barcelonës dhe vetë futbollistit. Situata në të cilën ndodhet Álvarez nuk është e re në botën e futbollit. Në vitet e fundit, disa futbollistë kanë përdorur presionin publik ndaj klubeve të tyre për të detyruar një transferim.

Alexander Isak te Neëcastle, Yoane Ëissa te Brentford apo Antony te Manchester United janë disa prej rasteve më të fundit. Por Barcelona ka një histori edhe më të gjatë me futbollistë që kanë hyrë në konflikt me klubet e tyre për të realizuar ëndrrën e veshjes së fanellës blaugrana.

Ousmane Dembélé – deri në “fund”

Ousmane Dembélé ishte një prej rasteve më të bujshme. Në kohën kur luante te Borussia Dortmund, francezi refuzoi të paraqitej në stërvitje. Trajneri i atëhershëm Peter Bosz deklaroi madje se nuk kishte dijeni se ku ndodhej lojtari dhe se nuk kishte mundur të kontaktonte me të.

Presioni funksionoi. Dembélé u transferua te Barcelona dhe, sipas të dhënave të Transfermarkt, operacioni shkoi deri në 148 milionë euro.

Antoine Griezmann – nga Atlético te Barça

Edhe Antoine Griezmann ka kaluar një situatë të ngjashme. Në verën e vitit 2019, francezi nuk u paraqit në stërvitjet e Atlético Madrid gjatë fazës përgatitore, duke pretenduar se kishte përmbushur procedurat ligjore për t’u larguar. Pak ditë më vonë, Barcelona pagoi klauzolën e largimit prej 120 milionë eurosh dhe Griezmann u bë lojtar i klubit katalanas.

Philippe Coutinho – kërkesa zyrtare për largim

Rasti i Philippe Coutinho ishte më kompleks. Liverpool publikoi një komunikatë zyrtare ku deklaronte se braziliani nuk do të largohej gjatë merkatos së verës. Coutinho reagoi duke paraqitur një “transfer request”, kërkesë formale për t’u larguar.

Liverpooli nuk pranoi ta negocionte largimin në atë moment, por qëndrimi i prerë i futbollistit ndryshoi situatën disa muaj më vonë. Në dimër, klubi anglez vendosi ta lejojë largimin e tij dhe Barcelona e transferoi në janar të sezonit 2017/18 për rreth 135 milionë euro.

Cesc Fàbregas – presion pa bojkot

Cesc Fàbregas ishte një tjetër futbollist që luftoi për të rikthyer në Barcelonë. Mesfushori spanjoll ndihej i zhgënjyer nga qëndrimi i Arsène Ëenger, i cili nuk po e lehtësonte largimin e tij nga Arsenali.

Fàbregas nuk bojkotoi stërvitjet, por u stërvit veçmas nga pjesa tjetër e skuadrës. Në fund, dëshira e tij u realizua dhe ai u transferua te Barcelona në verën e vitit 2011 për një shumë rreth 35 milionë euro.

Samuel Eto’o – një luftë në katër drejtime

Rasti i Samuel Eto’o ishte edhe më i komplikuar. Real Madrid, Barcelona, Mallorca dhe vetë sulmuesi kamerunas u përfshinë në një operacion të tensionuar. Eto’o kishte një marrëdhënie të mirë me Mallorcan, por situata me Real Madridin u komplikua.

Futbollisti madje publikoi një komunikatë drejtuar tifozëve të Barcelonës, ku shprehte hapur dëshirën për të luajtur në “Camp Nou” dhe kritikonte mënyrën se si Real Madridi po menaxhonte situatën. Në fund, Eto’o u transferua te Barcelona për 27 milionë euro.

Javier Mascherano – “Luftova për të qenë këtu”

Edhe Javier Mascherano e kishte vendosur largimin nga Liverpooli si objektiv. Në verën e vitit 2010, argjentinasi kërkonte me çdo kusht të largohej nga klubi anglez. Fillimisht dukej se destinacioni i tij do të ishte Interi, por situata përfundoi me transferimin te Barcelona.

Liverpooli e vështirësoi maksimalisht largimin e tij dhe Mascherano madje pagoi nga xhepi i tij një pjesë të shumës së transferimit. Vite më vonë, kur ishte tashmë lojtar i Barcelonës, ai do ta përmblidhte situatën me një fjali: “Kjo është e vërteta. Luftova për të qenë këtu dhe ja ku jam.”

A do të jetë Álvarez rasti i radhës?

Ka pasur edhe futbollistë të tjerë, si vëllezërit De Boer apo Robert Leëandoëski, që kanë luftuar me klubet e tyre për të realizuar transferimin te Barcelona. Tani, Julián Álvarez mund të bëhet emri i radhës në këtë listë.

Sulmuesi argjentinas duket se e ka bërë zgjedhjen e tij, ndërsa Atlético Madrid vazhdon të refuzojë një transferim te Barcelona. Nëse asnjëra palë nuk ndryshon qëndrim, ditët e fundit të merkatos mund të jenë vendimtare. Álvarez kërkon Barcelonën. Atlético kërkon ta dërgojë te Arsenali. Barça pret. Dhe koha po mbaron.

Top Channel