SHBA ngushton masat për naftën iraniane, i gjithë rrjeti që mundëson lëvizjen e anijeve cisterna nën shënjestrën e sanksioneve amerikane
Administrata e Presidentit Donald Trump ka propozuar një tarifë të re prej 103,265 dollarësh për vizat H-1B, vetëm disa muaj pasi një gjykatës federal rrëzoi përpjekjen e mëparshme të qeverisë amerikane për të vendosur një tarifë prej 100 mijë dollarësh.
Propozimi u publikua të hënën dhe synon, sipas administratës, të mbulojë kostot e sistemit të imigracionit dhe të nxisë kompanitë amerikane të punësojnë më shumë punëtorë vendas dhe t’u ofrojnë atyre paga më të larta.
Megjithatë, masa nuk është ende përfundimtare. Publiku ka 30 ditë kohë për të paraqitur komente mbi propozimin dhe procesi mund të zgjasë disa muaj përpara se rregullorja të hyjë në fuqi. Gjithashtu, ajo mund të përballet sërish me sfida ligjore.
Vizat H-1B u mundësojnë profesionistëve të huaj të punojnë në Shtetet e Bashkuara në profesione të specializuara. Aplikantët duhet të kenë të paktën një diplomë bachelor ose një kualifikim ekuivalent. Viza është e vlefshme për tre vjet dhe mund të rinovohet për tre vite të tjera.
Shtetet e Bashkuara lëshojnë çdo vit 65 mijë viza H-1B, ndërsa 20 mijë të tjera janë të rezervuara për personat që kanë marrë diploma të avancuara nga universitetet amerikane.
Mbështetësit e programit argumentojnë se punëtorët e huaj të kualifikuar ndihmojnë kompanitë amerikane të ruajnë konkurrueshmërinë dhe të zgjerojnë aktivitetin e tyre, duke krijuar në këtë mënyrë edhe vende të reja pune. Nga ana tjetër, administrata Trump e konsideron programin të tepruar dhe pretendon se ai mund të kufizojë mundësitë për punëtorët amerikanë.
Zëvendëspresidenti JD Vance e ka mbështetur propozimin e ri, duke argumentuar se kompanitë amerikane duhet të investojnë më shumë në punësimin dhe trajnimin e punëtorëve vendas.
Përpjekja e administratës për të rritur ndjeshëm koston e vizave H-1B nisi në shtator të vitit 2025, kur Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për vendosjen e një tarife prej 100 mijë dollarësh. Më parë, tarifa ishte rreth 3 mijë dollarë. Por në qershor, gjykatësi federal Leo Sorokin rrëzoi tarifën prej 100 mijë dollarësh, duke argumentuar se presidenti nuk kishte autoritetin për ta vendosur atë.
Sipas vendimit të gjykatës, ndryshimi i politikës federale të imigracionit në këtë mënyrë i takon Kongresit dhe jo presidentit. Sorokin arriti në përfundimin se administrata nuk kishte kompetencën e deleguar për të vendosur një tarifë të tillë mbi aplikimet për vizat H-1B.
Top Channel