Tërmeti katastrofik në Indonezi/ Shkon në 100 numri i viktimave, vijojnë kërkimet për personat e zhdukur
Momente terrori ka përjetuar familja e një miliarderi brazilian në Saint-Tropez, pasi katër persona të armatosur hynë me forcë në vilën luksoze ku po kalonin pushimet dhe i kërcënuan e lidhën banorët.
Ngjarja ndodhi në orët e para të 16 korrikut, rreth orës 03:30 të mëngjesit. Biznesmeni brazilian, pasuria e të cilit vlerësohet në rreth 1.4 miliardë dollarë, kishte marrë me qira vilën për dy javë, së bashku me gruan dhe dy djemtë e tij.
Sipas mediave franceze, vila duket se ishte zgjedhur paraprakisht nga grabitësit. Katër autorët, të ardhur nga Marseja, mbërritën pranë rezidencës me një automjet të vjedhur. Ata kishin me vete një pistoletë gjysmëautomatike, çekiç, lidhëse kabllosh, shirit ngjitës, sprej piperi dhe pajisje për bllokimin e sinjalit.
Fillimisht ata neutralizuan rojen e sigurisë, të cilin e kërcënuan me armë dhe e detyruan të mbyllte qenin në automjet. Më pas e çuan drejt vilës dhe e spërkatën me sprej piperi.
Brenda rezidencës, grabitësit nisën të kontrollonin dhomat. Një prej tyre i drejtoi armën në kokë partneres australiane të njërit prej djemve të familjes dhe i kërkoi paratë. Ndërkohë, dy autorë të tjerë hynë në dhomën e miliarderit dhe gruas së tij. Nën kërcënimin e armëve, ata kërkuan të dinin se ku mbaheshin bizhuteritë dhe orët e shtrenjta.
Banorët u mblodhën më pas në një nga dhomat dhe u lidhën nga grabitësit. Një prej banoreve arratiset dhe njofton policinë. Në kaosin e krijuar, një grua e re arriti t’u shpëtonte grabitësve dhe mori telefonin për t’u fshehur në kopshtin e vilës.
Pak para orës 05:00, ajo njoftoi policinë. Forcat e rendit mbërritën disa minuta më vonë dhe arrestuan tre prej të dyshuarve teksa përpiqeshin të largoheshin nga vila.
I katërti arriti të fshihej në çatinë e rezidencës, por u gjet dhe u arrestua më vonë. Bëhet fjalë për një 29-vjeçar, i cili dyshohet se plagosi një efektiv policie gjatë arrestimit.
Katër të dyshuarit janë vënë nën hetim formal për grabitje të armatosur dhe ndalim të paligjshëm dhe janë lënë në paraburgim. Nga dëshmitë e tyre, hetuesit kanë krijuar dyshime se grabitja ishte planifikuar dhe se vila nuk ishte zgjedhur rastësisht.
Top Channel