Rodri është një hap më pranë debutimit me Barcelonën. Pas disa ditësh stërvitjeje individuale, mesfushori spanjoll u bashkua të hënën me pjesën tjetër të grupit dhe nisi përgatitjet për ndeshjen e tij të parë me fanellën blaugrana.

Futbollisti iu bashkua Barcelonës me një përgatitje të kufizuar, pasi kishte përfunduar angazhimet në Kupën e Botës dhe kishte kaluar një ndërhyrje ambulatore në shpinë. Për këtë arsye, gjatë javës së kaluar ai punoi i diferencuar nga pjesa tjetër e skuadrës.

Të hënën, megjithatë, Rodri zhvilloi seancën stërvitore me lojtarët që kishin luajtur pak ose nuk ishin aktivizuar në ndeshjen ndaj Elches.

Rodri synon të jetë gati për ndeshjen e së enjtes ndaj Athletic Bilbaos, e cila do të zhvillohet në “Spotify Camp Nou”. Takimi është shtyrë nga java e parë e La Ligës për shkak të mungesës së lojtarëve që ishin të angazhuar në Botëror.

Pas prezantimit para tifozëve të Barcelonës, mesfushori madrilen tashmë pret të marrë minutat e para me skuadrën e re. Ndërkohë, vëmendja është edhe te Gavi, i cili nuk mori pjesë në stërvitjen e së hënës. Mesfushori u zëvendësua në pjesën e dytë të ndeshjes ndaj Elches pasi pësoi një goditje në gjurin e djathtë.

Trajneri Hansi Flick e minimizoi shqetësimin pas ndeshjes, por Gavi do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për të përcaktuar nëse ka pësuar ndonjë dëmtim.

Top Channel